Gurë e ujë në Rrugën e Arbrit, probleme në aksin “e florinjtë”
Rruga e Arbrit edhe një herë tregoi se është ndër më problematiket gjatë muajve të dimrit. Aksi që për shkak të kostove rezulton e artë për ndërtuesin, është kthyer në rrugën e mundimeve për udhëtarët që gjatë muajve të dimrit përballen aty me vështirësi e rrezik.
Rruga e Arbrit, ngjan me liqenin në disa pjesë të saj pas reshjeve të shiut. Pamje vijnë nga segmenti mes dy lagjeve në Bulqizë të enjten e 15 dhjetorit.
Vërshimi i ujit e ktheu të pakalueshëm njërin krah të rrugës për shkak të mos funksionimit të kanaleve kulluese anësore.
Drejtuesit e mjeteve duhet të dilnin në korsinë e kundërt, ndërsa banorët e zonës si këmbësorë e kishin të vështirë për ecur pa zhytur këmbët në ujë.
Vështirësi pati edhe pranë Tunelit të Murrizit, për shkak të rrëshqitjes së dherave që nisi pak ditë më parë, ndërsa në segmentin Bulqizë-Maqellarë, rrezik janë gurët.
Reshjet e shiut edhe një herë vërtetuan se Rruga e Arbrit është ndër akset më problematike gjatë muajve të dimrit.
Vitin e kaluar rrëshqitjet e dherave në By Passin e Murrizit e bllokuan për 24 orë aksin që probleme e vështirësi për të qarkulluar shfaq edhe kur ka reshje dëbore.
E inauguruar me bujë më 29 nëntor 2021, Rruga 54 kilometra që lidh Tiranën me Dibrën nëpërmjet një kontrate koncesionare me vlerë 40 miliard lekë nga kompania "Gjoka Konstruksion" jo vetëm që nuk ka përfunduar, por herë pas herë kthehet në rrezik për udhëtarët.


