Vranë dhe dogjën kufomën në malin Dajtit 5 vite më parë, Ora News mëson emrat e të arrestuarve, në kërkim djali 34 vjeç
Ora News mëson emrat e 2 personave të arrestuar për ngjarjen e ndodhur në 2017 ku më 16 maj u gjet në Kodër Shupal kufoma e paidentifikuar e dhunuar dhe gjysmë e djegur e Menduh Shaban Kurt-Deda.
Pesë vite më pas policia ka arrestuar Gazmir Ngota, 39 vjeç dhe Marjeta Karaj, 56 vjeçe, të dy banues në Tiranë. Në vijim të veprimeve për këtë rast, u shpall në kërkim shtetasi Besmir Karaj, 34 vjeç, banues në Tiranë, djali i shtetases së arrestuar Marjeta Karaj. Ai ndodhet jashtë shtetit.
Pesë vite pas krimit të rëndë policia arriti të identifikonte viktimën që i përkiste 66 vjeçarit Menduh Shaban Kurt-Deda, lindur fshatin Sohodoll, Dibër dhe në kohën e ngjarjes, banues në Lukovë, Sarandë.
"Të tre këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi kanë kontaktuar në zonën e Xhamllikut, shtetasin Menduh Kurt–Deda, i cili fshihej prej kohësh, si pasojë e një borxhi të pashlyer, e kanë marrë me forcë atë, në automjet, dhe kanë shkuar në zonën e Alliasit, ku kanë ushtruar dhunë ndaj tij.
Më pas, shtetasit B. K. dhe G. N., e kanë transportuar shtetasin Menduh Kurt–Deda, në një zonë pyjore, në vendin e quajtur “Kodër Shupal”, ku pasi e kanë dhunuar dhe lidhur 61-vjeçarin, e kanë djegur atë me " deklaroi drejtori i Policisë së Tiranës Lorenc Panganika sot në një konferencë për median.
