Gjykata dënon me shërbim prove gjyqtaren Margjekaj dhe avokatin Demiraj, burg për bashkëshortin
Gjykata e Posaçme ka dënuar me 4 vite e 6 muaj burg gjyqtaren Mimoza Margjekaj, e akuzuar për korrupsion.
Gjithashtu, gjykata ka dënuar me 4 vite burg edhe bashkëshortin e saj, Arben Cara.
Me nga 3 vite burg janë dënuar, shtetasit e pandehur, Klaudjo Zhilla dhe Skënder Demiraj.
Ndërsa me 1.2 vite burg u dënua Nejton Bali.
Sipas SPAK ata i kanë dhënë gjyqtares një shumë prej 6 mijë euro me qëllim ndryshimin e masës së sigurimit nga ajo e “arrestit në burg”, në atë të “garancisë pasurore”, ndaj shtetasit Orion Bali, vëllait të Nejton Balit i arrestuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për kalim të paligjshëm të kufijve, ndryshim që më pas ndodhi efektivisht nga Apeli i Korçës.
Për gjyqtaren Margjeka gjykata vendosi pezullim te vendimit, duke e konvertuar në 3 vite shërbim prove.
Gjithashtu dënimi u pezullua edhe për Nejton Balin, ku vendimi u konvertua në 3 vite shërbim prove.
Edhe për avokatin Skënder Demiraj u konvertua me 3 vite shërbim prove.
Burg do të vuajë Arben Cara, bashkëshorti i gjyqtares dhe Klaudjo Zhilla.
Gjithashtu gjykata vendosi për gjyqtaren edhe heqjen e së drejtës për të punuar në institucione publike për 5 vite.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
