“Miss Ballkani” po fundoset/ Ura e Zogut rrezikon të shembet, dëmtohet struktura e monumentit
Ura e Zogut, monument kulture i kategorisë së parë po rrezikon të shembet plotësisht për shkak se një këmbë është fundosur rreth 2 metra dhe struktura është dëmtuar pas reshjeve të shiut. Alarmi për të ashtuquajturën “Miss Ballkani” në infrastrukturë ishte dhënë prej vitesh, por institucionet e mbrojtjes së trashgimisë neglizhuan dhe nuk morën asnjë masë për të mbrojtur Urën me Harqe.
Ura e Zogut mbi Lumin Mat rrezikon shembjen e plotë.
Pamjet e kësaj të enjteje mund të jenë ndër të fundit që monumenti i kulturës së kategorisë së parë është ende e plotë mbi ujë.
Një tjetër këmbë e urës është fundosur me rreth 2 metra, ndërsa e gjithë struktura ka pësuar dëmtime pas prurjeve të shtuara të Lumit Mat për shkak të shkarkimeve nga Hidrocentrali i Shkopetit.
Disa muaj më parë Ura që për shkak të risive arkitekturore në kohën kur u ngrit cilësohej “Miss Ballkani” në infrastruktrurë, u përfshi nga organizata “Europa Nostra” në listën e monumenteve më të rrezikuara për vitin 2022.

Por duket se struktura e ndërtuar në vitin 1927 nuk do ti presë pa fund burokracitë dhe neglizhencën e institucioneve përgjegjëse të mbrojtjes së trashgimisë nuk morën masa për ta shpëtuar.
Pak ditë më parë, Ura e Bahçallëkut në Shkodër, monument kulture i kategorisë së dytë u rrëzua, për shkak të prurjeve të lumit, dhe mungesës së ndërhyrjeve për ta shpëtuar.
Vitet e fundit janë disa ura nën mbrojtjen e shtetit janë shembur plotësisht, duke humbur kështu një pjesë të trashëgimisë kulturore e historike.

Ura e Hoshtevës, në Zagori të Gjirokastrës, ajo e Orgockës, në Kolonjë janë vetëm dy prej tyre.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.