Vlorë, sekuestrohet pasuria rreth 500 000 euro, dyshohet se rrjedh nga veprimtaria kriminale
Gjashtë apartamente, 1 dyqan dhe dy parkime janë vendosur në sekuestro preventive nga prokuroria e Vlorës. Pronari që i disponon asetet me vlerë totale rreth 500 mijë euro, sipas prokurorisë është dënuar për disa vepra penale në Itali. Viktor Shoraj më herët ka qenë edhe subjekt i Operacionit Forca e Ligjit.
Pasuritë e të dënuarit Viktor Shorja janë sekuestruar me urdhër të prokurorisë së Vlorës.
Sipas njoftimit zyrtar të akuzës, 6 apartamente, një 1 dyqan dhe 2 parkime me vlerë 500 mijë euro u vunë në sekuestro me dyshimin se origjina e tyre është aktiviteti i paligjshëm.
"U bë sekuestrimi i pasurive të paluajtshme me vlerë rreth 500 000 euro, konkretisht: 2 apartamente në Orikum, me sipërfaqe 52.27 m2 dhe 54.50 m2; 4 apartamente në Tiranë, me sipërfaqe 118.12 m2, 109.3 m2, 80.7 m2 dhe 110.36 m2, njësi shërbimi në Tiranë, me sipërfaqe 122 m2 dhe dy poste parkimi në Tiranë".
Nga hetimet e kryera rezulton që këto pasuri të Shorjas janë përfituar produkt i veprave penale të kryera në shtetin italian.
Në këtë shtet pronari i aseteve rezulton i dënuar për një sërë veprash si trafik droge por edhe gjobëvënie.
Sipas prokurorisë, pasuritë që Shorja dispononte në Vlorë janë në regjistruar në emër të tij dhe të familjarëve.
Një shumë prej 300.000 euro rezulton së është likujduar terësisht jashtë zyrave noteriale.
Poseduesi i këtyre pasurive u bë edhe objekt i OFL-së, pasi nga Gjykata e Ankonës, Venecias dhe e Apelit në Romë rezulton i dënuar me vendime të formës së prerë për veprat penale të "Mbajtje e paligjshme e lëndëve narkotike"; "Shtrëngim për dhënie pasurie"; "Mbajtja pa leje e armëve"; "Transport dhe mbajtje e lëndëve narkotike në bashkëpunim".
Dënimet ai i ka kryer përgjatë viteve 2000-2007 në shtetin italian.
