Parregullsi në pasuri, KPK shkarkon prokurorin Kudusi Shahu

Prokurori i Prokurorisë së Tiranës, Kudusi Shahu u shkarkua nga detyra me vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Ky institucion shpalli vendimin në orën 10:00 të së hënës, dhe sipas verdiktit, shkak për largimin nga detyra të Shahut, janë bërë problemet me pasurinë.

Në vitin 1999 është emëruar në Prokurorinë e Tiranës, më pas ka punuar për një periudhë në ish-Prokurorinë për Krime të Rënda dhe në Prokurorinë e Përgjithshme. Gjatë karrierës në prokurorinë e Tiranës Kudusi Shahu ka qenë edhe zv.drejtues dhe shef i sektorit të ekzekutimit të vendimeve penale.

Gjatë procesit të veingut, Shahu u hetua në kriterin e pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit, ku komisioni vërejti mospërputhje në deklarimet për ndërtimin e një banese në emër të prokurorit.

KPK ka konstatuar edhe mungesë dokumentacioni për shuma të marra hua nga i vëllai.

Në seancën e parë më 2 nëntor trupa gjykuese relatoi mospërputhje e pasaktësi në deklarimin e pasurisë, si dhe balanca negative në vlera të mëdha për krijimin e tyre, ku për periudhën 2009-2011 balanca negative arrinte në shumën 10.8 milionë lekë.