Porti i Porto Romanos, Rama i hapur për investime: Të fusim pak në sherr BE-në me Britaninë

Kryeministri Edi Rama duke prezantuar projektin e Portit të ri tregtar të Porto Romanos deklaroi se është  hapur për propozime dhe të Britanisë nëse ajo ofrohet të bëjë investime në këtë zonë edhe nëse "nuk i pëlqen BE-së ".

"Mos të harrojmë që porti ka pranë dhe nj zonë ekonomike prej 60 Ha që ka interesin e vet nga pikëpamja e gjithë proceseve të përpunimit dhe të vendosjes së mijëra investimeve.

Kështu që nëse Mbretëria e Bashkuar na bën një propozim për të krijuar sëbashku ndonjë situatë që mund të mos i pëlqejë BE-së por është e rëndësishme për të dyja palët,  ne mund të breksitojmë një zonë të Porto Romanos e të vendosim flamurin dhe gjykatat angleze që të vendosin për të gjitha konfliktet që mund të jenë midis aktorëve aty dhe shteti shqiptar siç është bërë në Dubai.

Jemi më të hapur për të gjitha e ku ta gjejmë që të fusim njëçik në sherr dhe Anglinë me BE e anglezët ta kuptojnë që shqiptarët janë gjëja më e mirë që mund tu ndodhi atyre," tha Rama.