Porti tregtar i Porto Romanos, ja kompanitë që fton Rama, kushti që duhet të plotësojnë

Kryeministri Edi Rama në prezantimin e projektit të Portit tregtar të Porto Romanos zbuloi dhe kompanitë që janë të ftuara në garën për këtë projekt.

Sipas tij janë të ftuara kompani nga BE, Britania, Turqia, SHBA e Lindja e Mesme dhe gjithshtu të jetë një kompani që vjen nga një vend johostil i NATO.

"Ne do të mirëpresim, do të garantojmë të gjithë informacionin dhe transparencë të plotë për të gjitha kompanitë që do të vijnë nga BE, Britania, Turqia, Lindja e Mesme e SHBA.

Kjo është sfera e operimit të kompanive sepse duhet të keni parasysh porti ka dhe një dimension tjetër për të cilin ne po punojmë dhe jemi në diskutim të vazhdueshëm me NATO-n, për pjesën ushtarake që është tjetër gjë nga pjesa që do të nisë punën.

Për këtë arsye na duhet që cilado kompani që do të marrë operimin e portit jo vetëm ti ketë të gjitha standardet e kriteret më të sofistikuara ndërkombëtare të jetë kompani që vjen nga një vend johostil ndaj aleancës euroatlantike," tha ai.

Gara nis në janar kur do të zhvillohet një forum transparent me praninë e autoriteteve shqiptare dhe holandeze për tu shpjeguar kompanive projektin. 

Faza e parë që bën zëvendësimin e portit është 390 mln euro, ku 46% e vlerës së investimit do ta kontribuojë qeveria e Shqipërisë dhe 54% presim të jetë kontribut i kompanisë që do të fitojë garën ndërkombëtare.