"Trafik votash dhe drogë", bosi i Ndranghetas kërkonte votën e shqiptarëve dhe pakistanëve për kryetar bashkie
Antimafia e Milanos arrestoi dhjetë persona të dyshuar si të përfshirë në një skemë krimesh zgjedhore dhe trafiku droge të lidhur me klanet e Ndraghetas. Grupi dyshohet se ka përdorur emigrantët shqiptarë e pakistanezë me të drejtë vote për të mbështetur dy kandidatë në zgjedhjet lokale të vitit 2021.
Dhjetë persona u arrestuan nga policia në provincën e Milanos Pioltello, si pjesë e një operacioni kundër Ndrangheta-s të koordinuar nga Drejtoria e Antimafias. Disa nga akuzat e ngritura ndaj të pandehurve janë manipulim vote përmes emigrantëve dhe afera droge me grupe trafikantësh shqiptarë.
Klani Manno-Maiolo i 'Ndranghetas në provincën e Milanos, dyshohet se ka terntuar të ndikojë në zgjedhjet lokale të tetorit 2021 në favor të kandidatit të atëhershëm për kryetar bashkie Claudio Fina dhe kandidatit për këshilltarit të planifikimit të qytetit Menni Marcello, të dy të mbështetur nga një koalicion i qendrës së djathtë.
Prokurori Paolo Storari, i akuzon të arrestuarit edhe me hipotezën e krimit të detyrimit zgjedhor.
Në veçanti, bosi i supozuar Cosimo Maiolo, sipas hetimeve të kishte organizuar "një banket elektoral" n për dy politikanët dhe ka ftuar edhe “komunitetin e huaj”, konkretisht “shqiptarët dhe pakistanezët” të votojnë për kandidatët Fina dhe Menni, “duke demonstruar publikisht mbështetjen e “Ndrangheta” për dy kandidatët. Gjithashtu hetimet e prokurorëve italianë zbardhën akuzën e një tentative vrasje që ka përfshirë një anëtar të familjes ndranghetiste e disa shtetasve shqiptarë për afera të lidhura me trafikun e drogës.
Përgjimet e kryera nga Antimafia kanë dokumentuar e si kapo mafia e këtij klani me veprim në Pioltello dënonte gjestin impulsiv të sherrit të dhunshëm të anëtarit të familjes mafioze me trafikantët shqiptarë, aq sa për mësim u mor vendimi i eleminimit fizik të vëllait të tij, një krim që mbeti në tentativë.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.