Kërkohet ulje taksash në Durrës, Dhoma e Tregtisë: Të ulen taksat e pastrimit e arsimit
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Durrës ka shpehur disa propozime konkrete për uljen e disa taksave vendore në prag të miratimit të paketës fiskale nga Bashkia e Durrësit.
Ulja e taksës së pastrimit për disa kategori, shpërndarja e taksës së arsimimit dhe rritja e taksës për OJF-të janë disa nga propozimet e kësaj dhome.
Në prag të miratimit të paketës fiskale për vitin e ardhshëm në Bashkinë e Durrësit, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë atje, ka bërë thirrje për uljen e taksave.
Kreu i kësaj dhome Alban Isteri, thotë se ka dorëzuar në Bashki, edhe propozimet konkrete ku duhet të ndërhyhet për të ulur taksat.
“Përsa i përket taksës së pastrimit ,kemi gjykuar, të mund të ket një selektim të bizneseve sipas ndotjes dhe ata që ndotin më shumë të paguajn më shumë, ata që ndotin më pak duhet të paguajnë më pak. Përsa i përket taksës së përkohëshme të arsimit, sipas vendimit të Dhomës së Tregëtisë është e padrejtë që ti faturohet vetëm biznesit të madh. Rritjes se taksës për OJF-të,” tha Alban Isteri.
Isteri thekson se taksat kanë tendenca rritje të shumfishtë, ndërkohë që nuk ka transparencë se sa përqind e taksave mblidhen nga ana e institucioneve.
“Duhet të demostrosh që ke një efiçencë të mirë të mbledhjes së të ardhurave sepse nese nuk veprohet kështu i bie që ajo perqindje që ka paguar gjithmponë do paguaj gjithmonë më shumë, dhe ata që nuk kanë paguar, të vazhdojnë të mos paguajnë,” tha ai.
Gjatë këtij muaji pritet që Këshilli bashkiak të miratojë paketën fiskale në të cilën do të detajohen, taksat që duhet të paguajnë qytetarët dhe bizneset e Durrësit.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.