Mesazh me eksploziv biznesmenit nga Kukësi tek "Komuna e Parisit" në Tiranë

Një shpërthim me eksploziv ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës, 11 dhjetor 2022, në zonën e Komunës së Parisit, Tiranë.

Bëhet fjalë për një biznes në pronësi të një shtetasi nga Kukësi dhe banor në të njëjtin qytet, por që prej disa kohësh kishte në posedim edhe biznesin në Tiranë, pranë kompleksit "Kikia 2".

Burime policore bëjnë me dije se ndaj këtij shtetasi është bërë edhe më parë një veprim i tillë, por fatmirësisht në të dyja rastet nuk ka patur dëmtime në njerëz.

Shpërthimi i fundit ka ndodhur dje rreth orës 04:00 të mëngjesit, dhe bëhet fjalë për një sasi të vogël lënde plasëse që është vendosur dhe ka shpërthyer pranë biznesit raporton gazetari i Ora News, Edison Vatnikaj.

 Hetuesit që po merren me rastin paraprakisht kanë dyshime për ndonjë konflikt që pronari i identifikuar si Amarald Canaj mund të ketë patur, dhe eksplozivi ka qenë për ti dhënë një mesazh.

Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë pranë zonës ku ka ndodhur ngjarja për të zbuluar nëse është fiksuar ndonjë moment i lëvizjes së autorit/ëve që do ti ndihmonte hetuesit për zbardhjen e identitetit të tyre. Policia ende nuk ka reaguar zyrtarisht për ngjarjen.

Njoftimi i policise

Më datë 11.12.2022, rreth orës 09:30, Policia ka marrë njoftim se ishte hapur me forcë dera e një dyqani, në rrugën “Jusuf Vrioni”.

Menjëherë pas njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor. Nga veprimet paraprake dyshohet se dera e dyqanit në pronësi të shtetasit A. C. mund të jetë dëmtuar si pasojë e plasjes së një kapsolle detonatore, apo të ndonjë sasie të vogël lëndë plasëse.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe të shkakut të dëmtimit të derës.