Incineratorët, Berisha: Zoto i pagoi hotelet luksoze Ahmetaj në këmbim të firmës

Në kohën kur janë publikuar dokumente të reja që implikojnë ish-ministrin Ahmetaj në abuzimet me incineratorët, në atë që opozita e ka cilësuar aferën e djegësave, kryedemokrati Sali Berisha thotë se faktet u zbuluan nga lufta e brendshme e SPAK, pasi dokumentet janë në dosje.

"Fakti që dokumentet e publikuar kanë qenë në dosjen e prokurorëve dhe nuk janë marrë parasysh, janë një provë flagrante e faktit se SPAK-u nuk është gjë tjetër veçse SKAP-i partisë i kontrolluar nga Rama”, tha Berisha.

Berisha thotë se biznesmeni i shpallur në kërkim, Klodian Zoto ka paguar me paratë e sipërmarrjes qeveritare hotelet luksoze të Ahmetajt për të blerë firmën e këtij të fundit, pa të cilën kjo aferë nuk do të ishte vënë në veprim.

“Punonjësit e kompanisë Rama-Agaçi-Ahmetaj-Veliaj, kanë financuar vizitat turistike, netët e luksit në hotelet me pesë yje të Arben Ahmetajt, asokohe ministër i Ekonomisë, sigurisht jo me para të veta, por të sipërmarrjes qeveritare të vjedhur nga taksapaguesit shqiptarë.

Klodian Zoto, ka paguar me kartën e vet të kreditit, të paktën në pesë raste të raportuara qëndrimin në hotele me 5 yje të Arben Ahmetajt. Kjo vërteton plotësisht deklaratën e PD-së dhe opozitës, e cila ka denoncuar me kohë skemën e mega-vjedhjes së 430 milionë eurove," tha ai.

E megjithatë sipas liderit demokrat , Ahmetaj është tigri i vogël përballë kokës së vërtetë të vjedhjes 430 milionë euroshe.

"Tigri i vogël i oborrit të Ramës ka luajtur ndërmjetësin në vendimmarrjen e qeverisë për inceneratorët. Qeveria paguante në emër të qytetarëve," tha ai.

Shënim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.