Rama: Sulmet në veri të Kosovës të dënueshme, Beogradi të ndikojë te serbët, BE të ndërhyjë
Ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama lidhur me sulmet serbe në Veri të Kosovës duke thënë këto sulme janë të dënueshme.
Ai thotë se barrikadat janë të dënueshme dhe se shtyrja e votimi nga Kosova është një sinjal që Beogradi duhet t’i përgjigjet me përgjegjësi.
Ai shton se Beogradi duhet të ushtrojë ndikimin e vet mbi serbët e Veriut të Kosovës, pa i justifikuar assesi veprimet e tyre cilatdoqofshin arsyet.
Rama: Sulmet mbi EULEX janë të dënueshme pa asnjë ekuivok ashtu siç është i dënueshëm çdo akt dhune ndaj policisë së Kosovës. Rishfaqja e barrikadave në Veri të Kosovës, bie ndesh me çdo ligj e çdo frymë dialogu e jo vetëm nuk zgjidh asgjë, po përkundrazi komplikon më tej çdo gjë!
Shtyrja e votimeve nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës është një sinjal kuptimplotë, të cilit autoritetet e larta të Beogradit duhet t’i përgjigjen me të njëjtën frymë dhe ndjenjë përgjegjësie, për moslejimin e përshkallëzimeve të mëtejshme të akteve destabilizuese!
Beogradi duhet të ushtrojë ndikimin e vet mbi serbët e Veriut të Kosovës, pa i justifikuar assesi veprimet e tyre cilatdoqofshin arsyet! Arsyet diskutohen nuk përdoren si armë kundër policisë e si barrikada kundër rendit ligjor. BE-ja duhet të thërrasë urgjent tryezën e dialogut.

