SHBA bën thirrje për çmontimin e barrikadave në veri të Kosovës
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë thellësisht të shqetësuara për situatën aktuale në veri të Kosovës.
Ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë dhe Serbi sot, kanë dalë me një komunikatë të përbashkët, ku kanë kërkuar urgjentisht heqjen e barrikadave në veriun e Kosovës të vendosura nga serbët lokalë.
Ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë dhe Serbi thanë se "Ata që ngritën postblloqe të paligjshme duhet t’i çmontojnë ato menjëherë."
“Ne e kuptojmë se autoritetet kosovare kanë arrestuar një individ të dyshuar për përfshirje në një sulm të dhunshëm ndaj autoriteteve kosovare të zbatimit të ligjit dhe komisionit zgjedhor. Ky arrestim po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve si dhe kërcënime dhe frikësime ndaj autoriteteve kosovare dhe popullatës lokale. Ata që ngritën postblloqe të paligjshme duhet t’i çmontojnë ato menjëherë”, thuhet në deklaratën e përbashkët të dy ambasadave.
Dy ambasadat presin që t’i jepet fund të gjitha kërcënimeve të dhunës dhe frikësimit.
“Ne shprehim mirënjohjen dhe mbështetjen tonë të plotë për Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR) për përpjekjet e saj për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes dhe për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX). Ne i dënojmë fuqishëm si të papranueshme të gjitha sulmet ndaj agjencive të sigurisë kosovare dhe ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.
Gjithashtu Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, duke e shpërndarë deklaratën e dy ambasadave në Twitter shkruan se Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara për situatën aktuale në veri të Kosovës si dhe përsërit që "Ata që ngritën postblloqe të paligjshme duhet t’i çmontojnë ato menjëherë”.
The United States is deeply concerned about the current situation in the north of Kosovo. Those who erected illegal roadblocks should dismantle them immediately. Read the full statement: https://t.co/SOcOcu3kWK
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) December 11, 2022

