“Vuçiç mban levat e pushtetit”, Muhaxhiri: Propozimi franko-gjerman mund të çojë në njohjen e Kosovës nga Serbia

Analisti, Artan Muhaxhiri në një intervistë për Ora News me gazetaren Besmira Pelushaj foli rreth situatës në veri të Kosovës, mundësisë për shtyrje të zgjedhjeve në këtë zonë si dhe propozimit franko-gjerman për arritjen e një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi.

Sa serioze është situata?

Artan Muhaxhiri: Ka më shumë se 2 dekada që në veriun e Kosovës gjendja është bërë e jashtëzakonshme, nuk ka një jetesë normale dhe qeveria nuk ka akses të plotë. Vazhdimisht ka provokime nga ana e serbëve dhe të Serbisë. Tani dhe forcat special kosovare kanë shkuar atje.

Situata po përcillet me shqetësim jo vetëm për rajonin por dhe për BE e SHBA? Petkoviç tha se Serbia po sheh mundësinë për të dërguar 1 mijë forca në Kosovë.

Artan Muhaxhiri: Në serbi askush nuk ka peshë përveç Vuçiç që është një person që i mban të gjitha levat e pushtetit. Ideja është që kjo është e pamundur të ndodh. Është vetëm për konsum të brendshëm dhe që të shfaqet Serbia si një shtet që ruan influencën në Kosovë. Serbët në veri kanë shumë armë dhe çdo gjë mund të ndodhë, mund të ndodhin dhe sulme ndaj policisë por policia do të jetë në pozicion të vështirë si në rastin që intervenon dhe kur nuk intervenon.  Prej 1999 Kosova sa herë ka pasur probleme është harmonizuar me aleatët ndërkombëtar BE dhe SHBA. Serbia është e njohur se ka disa nivele të realitetit, nuk e pranon realitetin e tanishëm.

Një shtyrje e zgjedhjeve sa gjasa ka që Serbia të ngrejë pretendime për aneksim të Mitrovicës?

Artan Muhaxhiri: Është çështje me rëndësi. Ka interes të madh të SHBA për këtë situatë. Mitrovica e veriut është lënë si një temë që do të diskutohej në marrëveshjen finale. Gjatë këtyre viteve nuk është insistuar shumë. Besoj se do të shtyhen zgjedhjet pasi rrezikohet siguria, duhet të vendoset një datë e pranueshme.

Si e vlerësoni propozimin franko-gjerman?

Artan Muhaxhiri: Është një propozim i mirë,është më realisti që kemi pasur. Mendoj se kjo është mënyra e vetme që të shkohet përpara. Propozimi franko-gjerman mund të dërgojë në njohjen e Kosovës nga Serbia. Është një ide që përkrahet si nga Amerika, BE dhe Kosova dhe Serbia nuk do të ketë asnjë shans ta refuzojë një gjë të tillë.


Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.