Tensionet në Veri, Petkoviç: Serbia do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë
Serbia ka vazhduar me deklaratat kundër Kosovës, ndërsa ka kërcënuar edhe ushtarakisht. Petar Petkoviç, shef i të ashtuquajturës zyrës për Kosovën, ka deklaruar se Serbia do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë në Kosovë. Nga ana tjetër Presidenca e Kosovës deklaron se Serbia po e kërcënon hapur vendin me agresion ushtarak.
Pak orë pasi Policia e Kosovës njoftoi se ka rritur praninë e saj në veri të Kosovës, pjesë e banuar me shumicë serbe, shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, paralajmëroi se Serbia do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë në Kosovë.
Ky veprim tha ai se do të merret në përputhje me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara. Mbrëmjen e së enjtes, Petkoviç tha se 300 deri në 350 policë të Kosovës, përfshirë pjesëtarë të forcave speciale ROSU, kanë bllokuar Mitrovicën e Veriut.
“Siç kemi paralajmëruar, Kurti ka vazhduar me aksione ilegale dhe të dhunshme që synojnë okupimin e veriut të Kosovës. Pas konfiskimit të verës duke sulmuar familjen Petroviq dhe pas keqtrajtimit të fëmijëve në Leposaviq, rreth 300 deri në 500 policë, të armatosur rëndë dhe anëtarë të ROSU me pajisje ushtarake, kanë pushtuar veriun e Kosovës,” tha ai.
Sipas Petkoviç, policët kosovarë nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në territorin e Kosovës.
“Policia e Kosovës nuk ka të drejtë të shkojë në veri, në bazë të Marrëveshjes së Brukselit”, të cilën Kosova dhe Serbia e kanë nënshkruar me ndërmjetësimin e BE-së, në vitin 2013. Ai tha se Serbia “do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë” në Kosovë," tha ai.
Pas këtyre deklaratave do të vinte kundërpërgjigja e krerëve të shtetit të Kosovës.
Shefi i stafit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Blerim Vela ka thënë se Serbia nga veprimet e fshehta e të dhunshme të strukturave ilegale në Kosovë, po kalon në kërcënim të hapur për të përdorur forcat policore e ushtarake për të kryer agresion në Kosovë.
Ndërkaq Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se vendimi i policisë për të shtuar praninë e saj në veri, ka për qëllim sigurimin e qytetarëve.
Në katër komunat në Mitrovicën e Veriut: Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok pritet të mbahen zgjedhjet lokale më 18 dhjetor. Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, kundërshton mbajtjen e tyre.
Përfaqësuesit e saj, që kanë udhëhequr të katër komunat në veri, kanë dhënë dorëheqje në fillim të nëntorit, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri. Dorëheqje kanë dhënë edhe zyrtarë të tjerë serbë në veri, si nga niveli lokal, ashtu edhe nga ai qendror.

