"Shtyni zgjedhjet në veri", Ambasadori amerikan në Prishtinë: Nuk ka kushte për mbajtjen e procesit

Njësoj si për targat Uashingtoni ka kërkuar indirekt shtyrjen e procesit zgjedhor të 18 dhjetorit në komunat serbe në veri të Kosovës. Mbështetësit e Beogradit gjetën të martën një shkak tjetër për konflikt duke sulmuar me armë zjarri qendrat e votimit në veri.

Ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier ka kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve në komunat serbe në veri të Kosovës.

Reagimi i tij vjen pas tensioneve në veri të cilat kanë të bëjnë me zgjedhjet e 18 dhjetorit, të dekretuara tashmë nga Presidentja Vjosa Osmani.

Diplomati tha në Twitter se ishte i shqetësuar se nuk ka kushte që do të siguronin mbajtjen e procesit zgjedhor.

"Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se nuk janë krijuar kushtet për momentin që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë ata që janë të përfshirë të tregojnë vetëpërmbajtje," tha ai.

Hovenier gjithashtu ka shkruar se dhuna nuk është asnjëherë mjet për të protestuar dhe ka dënuar incidentet e djeshme në veri.

"Shtetet e Bashkuara dënojnë ata që ushtruan dhunë gjatë incidenteve të djeshme në veri të Kosovës. Përdorimi i dhunës dhe i frikësimit, duke përfshirë përdorimin e mjeteve shpërthyese, si dhe rrezikimin e jetëve, nuk është kurrë një metodë e përshtatshme proteste, në asnjë rrethanë," tha ai.

Kryeministri Albin Kurti mbrëmë tha se bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës.

Ai tha se për këtë arsye ka edhe prezencë të shtuar të Policisë së Kosovës për të ruajtur rendin dhe ligjin, derisa ka akuzuar Serbinë dhe presidentin e saj që po paguan kriminelët për të destabilizuar situatën.