Sulmi ndaj grupit të xhirimit në Veri, flet gazetarja që ishte në makinë: Pamë 10 persona të maskuar

Një sulm i ndodhur mëngjesin e sotëm ndaj një grupi xhirimi të Kallxo.com fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar.

Në një lidhje direkte me Ora News gazetarja që ndodhej në makinën që u sulmua, Shkodrane Dakaj tha se ishte një person i maskuar i cili iu afrua me shpejtësi dhe goditi makinën me të cilën ata po lëviznin.

"Sulmi ka ndodhur në mëngjes rreth orës 06:50. Po shkonim nga lagjja e boshnjakëve për në veri të Mitrovicës. Në atë pjesë ne kemi parë një grup prej 10 personash të maskuar, e në atë moment ne jemi kthyer. Mirëpo gjatë kthimit tonë një nga këta persona është afruar në drejtim tonin dhe e ka goditur veturën. Sulmi ndodhi vetëm prej një personi siç është parë dhe në video.

Ne jemi mirë, nuk kemi pasur lëndime pasi ishim në veturë dhe nuk kishte një sulm drejt nesh personalisht, por vetëm ndaj veturës," tha ajo.

Gazetarja Dakaj u shpreh se pavarësisht se në lagjen e Boshnjakëve ka forca policore dhe ndihen të sigurt të raportojnë, kalimi nga ana tjetër e qytetit, në pjesën e Serbisë është i rrezikshëm.

"Në këto momente jemi në lagjen e Boshnjakëve dhe në këtë pjesë është dhe policia e Kosovës, në këtë pjesë ne jemi të sigurtë të raportojmë por besoj se e dëshmon video e mëngjesit të sotëm se kalimi në pjesën tjetër është e rrezikshme për ne," tha ajo.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.