Sulmohet Policia e Kosovës në veri, plagoset një efektiv

Tensionet në Veriun e Kosovës sa vjen e përshkallëzohet, ndërsa po afron dhe dita e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në komunat me shumicë serbe. 

Një efektiv i policisë së Kosovës është plagosur gjatë një sulmi të armatosur në fshatin Serbovc të komunës së Zveçanit në orët e vona të së enjtes.

Sipas policisë, njësitë që ishin në detyrë “janë sulmuar nga persona të armatosur ku si pasojë një pjesëtar i Policisë së Kosovës është lënduar lehtë, ndërsa janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në veturën e policisë”.

Policia njoftoi se forca të shumta policore kanë rrethuar zonën për të kryer hetimet, ndërsa polici i plagosur është transportuar në spital për ndihmë mjekësore. Sulmi ndodhi pak orë pasi Policia e Kosovës shtoi prezencën e saj në atë pjesë të Kosovës, ku ditëve të fundit janë shtuar incidentet, por që deri mbrëmjen e së enjtes ishin pa pasoja në njerëz.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se vendimi i policisë për të shtuar praninë e saj në veri, ka për qëllim sigurimin e qytetarëve.

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha se “Policia e Kosovës nuk ka të drejtë të shkojë në veri, në bazë të Marrëveshjes së Brukselit”, të cilën Kosova dhe Serbia e kanë nënshkruar me ndërmjetësimin e BE-së, në vitin 2013.

Ai tha se Serbia “do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë” në Kosovë.

Në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – pritet të mbahen zgjedhjet lokale më 18 dhjetor. Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, kundërshton mbajtjen e tyre.

Përfaqësuesit e saj, që kanë udhëhequr të katër komunat në veri, kanë dhënë dorëheqje në fillim të nëntorit, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri.

Dorëheqje kanë dhënë edhe zyrtarë të tjerë serbë në veri, si nga niveli lokal, ashtu edhe nga ai qendror.