Provokimet e Bërnabiç: Kurti na solli në prag të luftës, kemi të drejtë të kthejmë trupat tanë në Kosovë

Veprimet e Albin Kurtit na kanë sjellë në prag të konflikteve të armatosura, kështu tha sot kryeministrja Ana Bërnabiç

Ajo shprehu mendimin se Serbia ka të drejtën dhe synimin, sipas Rezolutës 1244 të OKB-së, të kthejë një numër të caktuar të trupave në Kosovë.

Bërnabiç theksoi se çdo ditë shihen shkelje të Marrëveshjes së Kumanovës, si dhe të Marrëveshjes së Brukselit.

“Prandaj jemi shumë afër dhe besoj se sot presidenti Aleksandër Vuçiç do të japë më shumë informacion rreth takimeve të tij për të kërkuar kthimin e forcave tona në Kosovë dhe Mitrovicë sipas Rezolutës 1244 të OKB-së. KFOR-i nuk po bën punën e vet dhe serbët në Kosovë dhe Mitrovicë nuk ndjehen të sigurt. Aty rrezikohet jeta e tyre, përfshirë edhe fëmijët në kopshte”, theksoi kryeministrja e Serbisë.

Bërnabiç tha se Serbia do të kërkojë atë që është në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në lidhje me Kosovën dhe Mitrovicë.