Betoni, “premtimi” i Veliajt edhe për 3 vite
Betonizimi i Tiranës është premtimi i vetëm që kryebashkiaku, Erion Veliaj, ka për kryeqytetasit. Ndërtimet pritet të rriten edhe gjatë 3 viteve të ardhshme, pasi Bashkia e Tiranës të vetmen mundësi për të mbushur arkën e saj e shikon tek sektori i ndërtimeve.
Në fushatën elektorale kur kërkonte mandatin e parë në rrugët e kryeqytetit, kryebashkiaku, Erion Veliaj, zotohej se nuk do të jepte asnjë leje ndërtimi dhe se do të mbahej mend si Kryebashkiaku që do t’i shtonte më shumë parqe dhe gjelbërim kryeqytetit.
Ndryshe nga çfarë premtoi në 2015-ën, si në mandatin e parë ashtu edhe në të dytin të cilin e mori pa konkurent, Erion Veliaj po e mbyll mes akuzave për betonizimin e Tiranës dhe si kryebashkiaku që ka dhënë më shumë leje ndërtimi.
Por ndërtimet në Tiranë parashikohen të rriten edhe gjatë 3 viteve të ardhshme dhe kjo gjë vihet re në projektbuxhetin e Bashkisë së Tiranës.
Sipas dokumentit, Bashkia Tiranë parashikon që për vitin 2023 nga taksa e ndërtimeve të reja të arkëtojë, 5.5 miliardë lekë, ose 759 milionë lekë më shumë se viti 2022.
Rritja parashikohet të vijojë edhe gjatë viteve 2024 dhe 2025 me 6.1 miliardë lekë.
Ky trend rritjeje i të ardhurave nga kjo taksë, ndryshe përkthehet edhe në rritje të ndërtimeve në kryeqytet.
Betonizimit të Tiranës edhe për vitet e ardhshme, i parapriu dhe vendimi i Këshillit Kombëtar të Territorit, ku në korrik të këtij viti ka miratuar leje për 12 kulla të reja në Tiranë.

