PD në dyert e gjykatave, para samitit e protestës shqyrtohet padia e dy kuvendeve
Gjykata e Apelit do të shqyrtojë një prej padive që lidhet me konfliktin brenda PD vetëm pak orë para samitit të BE dhe protestës së thirrur nga opozita në Tiranë. Konflikti brenda demokratëve nuk është vetëm në dyert e gjykatave, por edhe me përfaqësimin zyrtar pasi tashmë selia blu pëfaqësohet me dy faqe të ndryshme interneti, e para ku Lulzim Basha rezulton ende kryetar dhe e dyta që njeh Sali Berishën.
Një orë para filllimit të Samitit të BE me vendet e Ballkanit dhe 3 orë para protestës së Partisë Demokratike, Gjykata e Apelit do të shqyrtojë një prej çështjeve të debatuara që lidhet e konfliktin brenda PD.
Bëhet fjalë për kërkesën e Gazment Bardhit me objekt bashkimin e vendimeve të dy kuvendeve atë të 17 korrikut si dhe të 18 dhjetorit në një 1 një të vetëm.
Krahas çështjes së bashkimit të dy kuvendeve Alibeaj ka paraqitur edhe një ankim kundër vendimit të datës 25 mars të Gjykatës së Tiranës, që i dha Partinë Demokratike Sali Berishës duke ia njohur ndryshimet e bera në statut nga Komisioni i Rithemelimit.
Përplasja mes demokratëvë nuk duket vetëm në dyert e gjykatave për statutin dhe vulën, por edhe në prezencën e Partisë Demokratike në adresën zyrtare dhe rrjetet sociale.
Në një vëzhgim të kryer faqja zyrtare e Partisë Demokratike pd.al vijon të administrohet nga të besuarit e Lulzim Bashës.
Ky uebsite nuk është përditësuar me informacion, madje në të kryetar i PD rezulton ende Lulzim Basha.
Faqja në facebook e lidhur me uebin pd.al, numëron plot 329 mijë ndjekësa dhe duket se po mbahet ende nën menaxhim nga ish-kryetari Basha, ku publikimet e vetme janë ato të deputetëve të grupimit të tij.
Në pamundësi për ti rimarrë faqen zyrtare dhe rrjetet sociale të partisë, edhe grupimi Berisha ka hapur faqen e re, PDSH.al.
Sipas përmbajtjes së këtij uebi, kryetar i PD është Sali Berisha ndërkohë që faqja e Facebook ku të dërgon kjo adresë, me rreth 9 mijë anëtarë, poston aktivitetet dhe fjalimet e grupimit kundërshtar me Bashën dhe mban emrin Partia Demokratike e Shqipërisë-Komisioni i Rithemelimit.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
