Jepet vendimi për Saimir Tahirin, dënohet me 3 vite e 4 muaj burg, çohet në qelitë e burgut 313

“Lënien në fuqi të vendimit  i Gjykatës së shkallës parë për krimet e rënda  në Tiranë me ndryshime si më poshtë: Mos zbatimin e nenit  59 për të pandehurin Saimir Tahiri. Vuajtja e dënimit me burgim për të pandehurin Saimir Tahiri fillon që nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi, dhe kryhet në një burg të zakonshëm."

Ky është vendimi i Apelit të Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit duke e dënuar me 3 vite e 4 muaj burg ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Shkalla e parë e dënoi Tahirin me 5 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar iu ul dënimi me 1/3, dhe u vendos që të mos bënte burg, por shërbim prove për 3 vite e 4 muaj. Pikërisht kjo masë lehtësuese u hoq nga Apeli.

Pas vendimit, Tahiri nuk pranoi të flasë për mediat, duke pritur brenda sallës së gjyqit ekzekutimin e vendimit.

Përveçse buzqeshjes së sforcuar në sallë, Tahiri ka zgjedhur Facebook për të reaguar mbi vendimin që e dërgon atë pas hekurave të qelisë së burgut 313.

“Ju dua shumë të gjithëve! Më vjen keq që shkoi kështu. Jam moralisht i qete, nuk kam shkelur kurrë ligjin, kam dashuruar çdo dite të punës sime, jam i lumtur që kam bërë detyrën siç me mire munda.  Eshte thjeshte PADREJTESI!”

Po përmes rrjeteve sociale ka reaguar edhe ambasadorja Juri Kim, e cila në Twitter shkruan:

“U bëjmë thirrje institucioneve gjyqësore që të vazhdojnë të demonstrojnë se askush – pavarësisht partisë, pozitës apo pasurisë – nuk është mbi ligjin. Jo më pandëshkueshmëri.”

Gjykata nga ana tjetër nuk ka ndryshuar dënimin për ish-drejtorin e policisë së Vlorë, Jaeld Çela i dënuar po me 3 vite e 4 muaj burg.

Avokatët e Saimir Tahirit dhe Jaeld Çelës e cilësuan si skandaloz vendimin, duke bërë me dije se do çojnë çështjen në gjykatën e lartë.

“Nuk e dimë si do ta justifikojë gjykata një vendim që heq pezullimin. Ky vendim ishte për të kënaqur.”- tha Hoxha.

"Mjafton që çdokush që t'i dërgojë një sms çdo prokurori dhe çdo gjyqtari dhe ai automatikisht do të ketë dyshimin e arsyeshëm që po bashkëpunon me grupe të strukturuara kriminale. Nuk duhet të jetë ky standarti i provimit.”- tha avokati i Çelës.

Në pretencën e saj, SPAK kërkoi 12 vite burg për Tahirin dhe ish-drejtorin e policisë Jaeld Çela. Ndërsa mbrojtja pretendonte pafajësinë e tyre.

Jepet vendimi për Saimir Tahirin, dënohet me 3 vite e 4 muaj burg,