SMS-të e “Rrumit” për pronat, SPAK zbardh rolin e Aleksandër Lahos në aferën e pronave

Një javë pas firmosjes së urdhër arrestit ndaj Aleksandër Lahos, i cili njihet edhe si"Rrumi i Shijakut", SPAK ka zbardhur rolin e tij në aferën e tjetërsimit të pronave në Gjirin e Lalzit. Hetuesit të ndihmuar edhe nga Europol kanë zbërthyer mesazhet e telefonatat e të dyshuarit në aplikacione të koduara komunikimi, ku flitej për aferën e pronave në bregdet dhe shumat e parave që janë ofruar për tjetërsimin e tyre.

Prokuroria e Posaçme ka zbardhur rolin e Aleksandër Lahos, i njohur si "Rrumi i Shijakut", në tjetërsimin e pronave në Gjirin e Lalëzit.

Provat ndaj tij janë siguruar  edhe nga mesazhet dhe bisedat e zhvilluara përmes aplikacionit të inkriptuar "Sky ECC".

Ky aplikacion dhe Enkro Chat u zbërthyen nga Europol në vitin 2021, duke zbuluar lidhje të organizatave kriminale në mbarë Europën dhe Botën.

Burime nga grupi i hetimit thanë se Prokuroria ka arritur të sigurojë të dhëna rreth veprimeve të Lahos, mbi të cilat janë ngritur edhe akuzat nga SPAK, për "korrupsion" dhe "tjetërsim të pronave", në zonën e Gjirit të Lalëzit.

Javën e kaluar, Struktura Anti-Korrupsion i është drejtuar me kërkesë Gjykatës së Posaçme, për 'arrest me burg', ndaj Aleksandër Lahos, kërkesë që u pranua prej kësaj të fundit duke ia përcjellë Policisë urdhër arrestin për ekzekutim.

Hetimet për tjetërsimin e pronave në Gjirin e Lalëzit nisën disa muaj pas atentatit të vitit 2019, ndaj ish-Prokurorit Arjan Ndoja i cili ndodhej në makinë me "Rrumit të Shijakut".

Në telefonat e sekuestruar më herët nga ana e SPAK për këtë ngjarje, u gjetën biseda, përgjime e video ku flitej për tjetërsimin e rreth 45 mijë m2 tokë në zonën e Gjirit të Lalëzit.

Burime nga grupi hetimor kanë thënë se përveç tjetërsimit të 45 mjë m2 tokë, ku Aleksandër Laho dyshohet se është përfshirë edhe në  tjetërsimin e 14 parcelave.

Kjo është masa e dytë e arrestit në mungesë ndaj këtij personi pasi disa muaj më parë, “Rrumi” u shpall në kërkim për heqje të paligjshme të lirisë pas dëshmisë se vëllezërve Beqiraj.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.