Porti i Durrësit: Paund e euro të padeklaruara, makinë e vjedhur në Itali e qindra steka cigaresh kontrabandë
Policia Kufitare Durrës ka gjetur gjatë kontrolleve në Portin e Durrësit qindra steka cigaresh të kontrabanduara dhe një sasi parash të padeklaruar në lekë, euro e dollarë., si dhe ka arrestuar një person që po hynte në Shqipëri me automjet të vjedhur në Itali.
Me finalizimin e operacionit policor të koduar “Seria” u arrestua shtetasi A. J., 44 vjeç, banues në Maqedoni, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me të cilin udhëtonte, shërbimet e PKK Port Durrës gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, steka me paketa me cigare, të dyshuara të kontrabanduara;
"U arrestua gjithashtu shtetasi L. B., 45 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë verifikimeve të kryera nga shërbimet e Policisë Kufitare me pajisjet bashkëkohore dedektuese, u konstatua se po tentonte të hynte në Shqipëri, me një automjet që rezulton i vjedhur në Itali," njoftoi policia.
"Gjithashtu u referuan materialet, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. K., 42 vjeç, banues në Sukth, Durrës, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e PKK Port Durrës, në tragetin e linjës nga Italia, me të cilin udhëtonte 42-vjeçari, u gjetën dhe u sekuestruan 8870 paund, 410 euro dhe 50 000 lekë të rinj, të padeklaruara sipas normave ligjore," njoftoi policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
