Vrasja në komisariat e Çaush Saliasit, Gjykata refuzon gjykimin e shkurtuar për Ludian Zaimin
Gjykata e Tiranës refuzoi kërkesën e Ludian Zaimit për gjykim të shkurtuar në procesin ku ai akuzohet për vrasjen e kolegut Çaush Saliasi brenda komisariatit Nr.3 të policisë. Togat e zeza pranuan gjykimin e dosjes së prokurorisë, në të cilën citohen dëshmi të kolegëve të viktimës, efektiva të komisariatit ku ndodhi ngjarja, të cilët kanë thënë se autori e ka paramenduar krimin madje ka pasur plan të arratisej pasi të ekzekutonte kolegun.
Gjykata e Tiranës kaloi në gjykim dosjen në ngarkim të ish-efektivit të policisë Ludian Zaimi i akuzuar poër vrasjen e kolegut të tij Çaush Saliasi Brenda komisariatit Nr.3 të policisë.
Gjykata vlerësoi të drejtë kualifikimin e veprës penale nga prokuroria për "vrasje me dashje ndaj punonjësit të Policisë së Shtetit, gjatë detyrës ose për shkak të saj".
Trupi gjykues nuk pranoi gjykimin e shkurtuar duke vendosur të vazhdojë procesin më tej me procedurë të zakonshme, për shkak të veprës penale të rëndë që ka kryer i pandehuri.
Në dosjen hetimore që Ora News disponon, citohet dëshmia e një prej kolegëve të Zaimit, ku ngrihen dyshime se ai e ka planifikuar vrasjen.
"Makina e autorit qëndronte e ndezur në derën e komisariatit, e gatshme për tu larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, ndërsa pak kohë para veprimit të zij, kishte dërguar mesazhe të dyshimta të afërmve ", citohet dëshmia e kolegut të autorit në dosjen hetimore.
Prokuroria pretendon më tej, ndryshe nga sa këmbënguli mbrojtja, referuar aktit të sekspertimit psikiatriko-ligjor, se Ludjan Zaimi nuk vuante dhe nuk vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe ka qenë në gjendje të kontrollojë veprimet e tij.
Vepra penale për të cilën akuzohet i pandehuri ka një marzh dënimi jo më pak se tridhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
Vrasja ndodhi më 4 maj 2022.
Pak minuta para krimit, mësohet autori i ka shkruar një personi të dënuar një mesazh ku i lë amanet babin dhe nënën.
Një tjetër mesazh, Ludjan Zaimi ia nis një shtetasi me iniciale D.C të cilit i lë amanet personin e afërm me iniciale "D". 25-vjeçari sipas prkurorisë e ka vrarë pikërisht Çaush Saliasin për shkak të marrëdhënieve gjatë ushtrimit të detyrës në komisariatin 3, ku pretendonte se bullizohej.
Në dosje thuhet se Zaimi se nuk ka ngritur këtë shqetësim tek eprorët apo ndonjë i afërm i viktimës.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

