Pogradec, po udhëtonte më 9 emigrant në makinë, shpallet në kërkim 24-vjeçari që i shpëtoi policisë gjatë ndjekjes

Një 24 vjeçar është shpallur në kërkim pasi nuk iu bind urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar, vazhdoi me shpejtësi lëvizjen me automjetin me të cilin po transportonte 9 emigrantë të paligjshëm dhe më pas e braktisi atë.

“U referuan materialet në Prokurori dhe u shpall në kërkim shtetasi R. S., 24 vjeç, banues në Tiranë.”, njofton policia.

Shërbimet e Policisë, në bazë të inteligjencës informative se një shtetas do të transportonte me një automjet tip "Volvo", emigrantë të paligjshëm, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit, koordinuan veprimet dhe në aksin Korçë-Pogradec, bënë të mundur lokalizimin e automjetit me drejtues shtetasin R. S., të cilit i bënë shenjë të ndalonte.

24-vjeçari nuk i është bindur urdhrit të tyre për të ndaluar, ka vijuar lëvizjen me shpejtësi dhe më pas, duke përfituar nga errësira ka mundur të largohet. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e braktisur u gjetën 9 emigrantë të paligjshëm, të cilëve, kundrejt pagesës, drejtuesi i automjetit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprime të mëtejshme.