Me 6 dhjetor në shesh, Berisha liderëve të BE-së: Protesta kundër armikut të vlerave europiane
Sali Berisha ka qartësuar edhe një herë liderët europianë se protesta e 6 dhjetorit nuk është kundër tyre.
Në takimin me demokratë të njësisë 5 në kryeqytet, ai i ftoi ata ta marrin këtë manifestim si mirëseardhje dhe nderim ndaj vlerave europiane.
Opozita do të jetë në shesh, tha Berisha, kundër Edi Ramës dhe regjimit të tij, armiku më i madh sipas i tij i shqiptarëve, vlerave europiane dhe integrimit të vendit.
Berisha: Ne do jemi me datën 6 dhjetor në protestë. Ftoj liderët e Bashkimit Europian ta marrin këtë prani si një përshëndetje dhe nderim ndaj tyre dhe vlerave të tyre. Kjo është njëra anë e medaljes, ana tjetër e medaljes: Ne jemi në rrugë, në shesh për të protestuar kundër armikut të betuar të vlerave europiane në Shqipëri, Edi Ramës dhe regjimit të tij.
Nuk fshehim asgjë, përkundrazi ne dalim me datë 6 për tu thënë liderëve të Europës se ky nuk përfaqëson jo popullin opozitar por as popullin shqiptar dhe se ky është një armik i të gjitha vlerave themelore mbi të cilat janë ndërtuar shoqëritë e lira, është armik i votës së lirë të shqiptarëve, është një armik i të drejtave të tyre, i identitetit të tyre, i kulturës së tyre, i pasurive të tyre publike, i fondeve të tyre buxhetorte, i të ardhmes së tyre.
