"Rreth dy flamujve, të ndarë", Shqipëri-Kosovë, brenda dhe jashtë ceremonialit patriotik
Pas një shekulli e një dekade pavarësi u bënë bashkë, të paktën me ceremoni. parlamenti në Tiranë hapi dyert për ligjvënësit nga Kosova për festën e flamurit. Në oborrin e Kuvendit u paraqitën dy ekspozita, njëra prej të cilave sillte rrugëtimin e Shqipërisë prej 28 nëntorit të vitit 1912, anëtarësimi në NATO si dhe negociatat në BE.
Ajo që dukej si një qilim i punuar me dorë lidhte figurativisht dy flamujt. Ndonëse fotografia e kreut të qeverisë nuk kishte si të mos paraqitej në ekspozitë edhe hyrja e Shqipërisë në NATO në vitin 2009 është një ngjarje e rëndësishme në kalendarin e punimeve të kryeministrit të asaj kohe Sali Berisha, fotoja e të cilit mungonte. Si të ktheheshe pas në kohë e të përjetoje ngjarje që ne njohim vetëm përmes dorëshkrimeve vinte edhe një tjetër ekspozitë.
Ndodhemi pikërisht në ambjentet e jashtme të Kuvendit të Shqipërisë aty ku për shkak të mbajtjes së seancës së përbashkët është zhvilluar dhe një ekspozitë nën emrin: Të ndarë por të pashkëputur.
Në vijim të kësaj ekspozite shihen ato dokumente si fijet e holla por të ngushta mes dy kombeve. Janë të paraqitura dokumenta që tregojnë për kryengritje të ndryshme të Shqipërisë si ajo në Pukë e Koplik.
Nga ana tjetër ka një dokument ku Luigj Gurakuqi ka njoftuar gazetat europiane për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë apo dhe fletëvotimet për zgjedhjet e pleqësisë.
Është e demonstruar në fakt dhe një formë e flamurit shqiptar ndërsa në anën tjetër kemi dhe shpalljen e pavarësisë në disa prej vendeve të Shqipërisë duke nisur nga Durrësi, Lushnja, Tirana.
E pozicionuar ishte dhe një foto e Ismail Qemalit me Isa Boletinin dhe një biografi e Qemalit. Nga ana tjetër ishin të vendosura edhe disa foto që dokumentonin ceremonitë e zhvilluara në Tropojë, manifestime në Tepelenë, ardhja e delegacionit hungarez.
Të pasqyruara ishin edhe disa dokumente të tjera mbi figura që kanë dhënë një kontribut të paçmuar në formimin e shtetit shqiptar, çlirimit e shpalljen e pavarësisë, si dhe foto e dokumente të firmosura nga Andon Zako Çajupi, Hasan Prishtina e Dedë Gjo Luli, Papa Kristo i Jekovanit.
I vendosur ishte edhe lajmi i gazetës Rilindja për mbeldhjen e kryesisë së konferencës krahinore për përdorimin e lirshëm të flamurit kombëtar më 4 tetor 1968, atëhere kur dhe do ti jepej e drejta popullit të Kosovës të valëviste flamurin shqiptar.
Gjithashtu ishte dhe një tezë e bashkëpunimit mes dy vendeve në 1974 e firmosur nga Ukshin Hoti.
Konferenca mbarëkombëtare e arkivistëve, boletini 11 qershor 2022 ishte ajo që mbylli ekspozitën.
Në tapetin e kuq vendosur që në hyrje të Kuvendit, pas deputetëve u prit edhe kryetari i Kudendit i Kosovës nga homologia e tij në Shqipëri Lindita Nikolla.
Pas mbërritjes së kreu të qeverisë Edi Rama, iu urua mirëseardhja edhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.
Pasi u njohën me ekspozitën, Ansambli Popullor i priti me këngë e valle. Teksa do të futeshin në sallën e parlamentit në shenjë takimi vëllazëror u mbajtën në duar edhe flamujt e dy vendeve nga një prej vajzave valltare.
Ndërsa salla e parlamentit ishte veshur në një anë nga lule me ngjyrat e flamurit të Kosovës, blu e verdhë e nga ana tjetër të flamurit shqiptar kuq e zi. Për të qenë në sinkron me këtë datë të rëndësishme, deputetët ishin kujdesur të ruanin edhe ngjyrën e kuqe e të zezë në veshjet e tyre.
Edhe pozicionimi nuk ishte i rastësishëm. Pas çdo deputeti të Shqipërisë qëndronte nëj deputet i Kosovës. Një tjetër simbol ishin ngjyrat e flamujve që mbanin në spilat e tyre, por që mungoi në kostumin e Albin Kurtit.
Pas banderolave me flamujt e dy vendeve, himni i Shqipërisë dhe Kosovës ishin emocionet e para mes parlamentarëve e tregues i ndarjes së një kombi në dy shtet. Kjo për shkak edhe të qëndrimeve të ndryshme mes tyre, që nga Open Balkan që u evitua të përmendej mes palëve ashtu dhe të UÇK, çështje të cilën socialistët treguan se do ta mbronin në Hagë, pikërisht në ditën e pavarësisë së Shqipërisë.
"Monumenti i errësirës nuk mbaroka me kaq. Sot, komandantët e UÇK-së mbahen të arrestuar, në të njëjtin burg, sikur ata që urdhëruan masakrat në Kosovë, Srebrenicë e gjetkë, mbi bazën e disa akuzave të paqena, të një raporti dhe një rezolute turpi, për ata që e shkruan dhe ata që e votuan. Tek komandantët do të shkojë një grup prej nesh nesër në Hagë e tja urojmë aty pavarësinë,” tha Taulant Balla.
"Shpreh dhe përulem me nderimin më të madh përpara Ismail Qemalit, Ibrahim Rugovës dhe burrave të mëdhenj të botës që bënë të pamundurën që Shqipëria dhe Kosovës të jenë dy vende të pavarura," tha Sali Berisha.
"Të dyja këto lidhen me Ibrahim Rugovën, një i munguar i madh sot pasi u nda nga jeta para kohe, por me mision të kryer dhe Hashim Thaçin, një tjetër i munguar i madh në këtë sallë, i cili është i ndarë prej nesh përkohësisht me një mision që vazhdon," tha Edi Rama.
Ajo çka parlamentarët e Kosovës e folën me zë të lartë ishte çështja e kërcënimit serb në trojet e Kosovës.
"I vetmi shtet në mes të Europës që mbetet i lidhur me Rusinë, sot është Serbia. Ajo nuk e fsheh qëllimin e saj që është destabilizimi i Kosovës dhe ndarja faktike e shtetit tonë. Sa më afër njëra tjetrës aq më lehtë do jetë t’i mbrojmë interesat jetike të vendit tona," tha Glauk Konjufca.
Në fjalimet të të dyja palëve nuk munguan citatet e shkrimtaërve që në veprat e tyre i kanë trajtuar marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë. Kryetari i parlamentit të Kosovës përmendi Naim Frashërin, të tjerë Gurakuqin e Poradecin.
Rama dhe Kurti u shfaqën miqësorë me njëri-tjetrin duke shkëmbyer edhe batuta. Pas përfundimit të seancës dhe takimit kokë më kokë ata u pritën për të dhënë fjalën e tyre për median, por Rama refuzoi të përgjigjej e pas tij edhe Kurti duke i qëndruar fjalimeve të përgatitura e ligjëruara në foltoren e Kuvendit.
"Ne i thamë çfarë kishim për të thënë," tha Rama.
Festa e Pavarësisë kulmon më 28 Nëntor në Vlorën e Ismail Qemalit.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
