Samiti i BE më 6 dhjetor, Kurti: E kthen Tiranën në kryeqendrën europiane, BE është e ardhmja dhe fati ynë

“Kosova dëshiron që Bashkimi Europoian të ketë marrëdhënie shumë të mira me Ballkanin Perendimor dhe Ballkani të bëhet europian dhe demokratik”, kështu deklaroi nga Kukësi, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i pyetur mbi samitin e BE-së që do mbahet në Tiranë më 6 dhjetor.

”Ky samit e kthen Tiranën kryeqendrën europiane. E unë dua sa më shumë marrëdhënie të mira mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Kam dëshirë dhe dua që Ballkani të bëhet europian e demokratik. Gëzohem shumë që ky samit po mbahet në një kryeqytet si Tirana. Ne jemi të bindur që BE është e ardhmja dhe fati ynë. Mezi pres që ne si qeveri e shtet i Kosovës ti bashkëngjitemi BE e krejt Ballkanit,” tha ai.

Kryeministri Albin Kurti, ishte pasdite në Kukës ku u takua me Kryetarin e Bashkisë Safet Gjici dhe ku bashkë me ish-kryeministrin Pandeli Majko dhe Ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi bënë homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Kurti nderoi dhe  vendosi një tufë me lule edhe tek varri i Hasan Prishtinës, i cili prehet në varrezat e Dëshmoreve të kombit në Kukës.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti bashkë me kryebashkiakun e Kukësit Safet Gjici u shpreh se në shtator të vitit të ardhshëm në Kukës të dyja shtetet do të zhvillojnë një mori aktivitetesh në nderim të 150 vjetorit të lindjes së një prej figurave më madhore të kombit shqiptar, Hasan Prishtina.

Kurti, u pyet edhe në lidhje me problemet e zonave kufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës, konkretisht për prodhimet sezonale në fshatrat kufitarë.

Ai e pranoi se shumë prodhime të këtyre zonave ndalohen të tregtohen për shkak të tarifave doganore, tarifa të cilat nuk ndikojnë në të ardhurat e një shteti. Për këtë çështje premtoi se shumë shpejt do të ketë zgjidhje.