Faturën e përmbytjeve Ramës, Bardh Spahia: Dëmet e përmbytjeve do t’i paguajë qeveria
Pavarësisht se qeveria refuzon që të shpallë gjendjen e emergjencës natyrore në Shkodër për shkak të përmbytjeve, kryebashkiaku demokrat Bardh Spahia ka thënë se do t’ia çojë faturën e dëmeve kryeministrit Edi Rama. Spahia tha se vizita në Shkodër e kryeministrit Edi Rama ishte një show politik, dhe përmbytjet nuk mund të krahasohen me ato të 2010.
Si çdo vit që ka përmbytje në vendin tonë, debati politik intensifikohet kur vjen puna tek pagesa e dëmeve.
Shpallja e gjendjes së emergjencës natyrore nga qeveria bën që kjo e fundit bashkë me firmën për shpalljen e emergjencës, të pranojë edhe faturën e konpensimit për dëmet.
Deri më tani, pavarësisht thirrjeve, kreu i qeverisë Edi Rama ka refuzuar që ta shpallë gjendjen e emergjencës.
Por pavarësisht kësaj, kryebashkiaku i Shkodrës Bardh Spahia tha se faturën do ja çojë Edi Ramës.
Spahia: Në këtë lagje është bërë 1 metër ujë për 20 minuta.Nuk ka reshje që mund ta bëjnë. Ata duan të vazhdojnë me mashtrime, me përralla, dakord.
Vizitën e kryeministrit Edi Rama në Shkodër të martën, kryebashkiaku demokrat e konsideron show politik.
Spahia: Shkodra është në vështirësi këto ditë, me ardh me bo show dhe turizëm politik…Këta harrojnë që janë në qeveri, nuk munden më me ju referu më "kështu ka ndodh para 10 viteve".
Aktualisht në Shkodër janë ende në ujë rreth 1400 hektarë tokë si dhe 4 shtëpi me prezencë uji.

