A është përpjekur qeveria për të zgjedhur të preferuarin në krye të SPAK? Ja si përgjigjet Peleshi

Ambasadorja e SHBA-së përcolli dje një mesazh ku kërkoi që procesi I përzgjedhjes së kreut të SPAK të jetë transparent pa manipulime nga ata që kërkojnë të bllokojnë ose ndikojnë në drejtësi, nga ata që preferojnë mënyrat e vjetra dhe për rrjedhojë kundërshtojnë reformën në drejtësi.

Por a ka ndonjë qëndrim qeveria lidhur me deklaratën e ambasadores dhe a është përpjekur për të zgjedhur të preferuarin tuaj në krye të SPAK.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi i pyetur nga gazetarët sot pas mbledhjes së qeverisë tha: “Çdo ngjarje të pakëndshme apo vëëmendje e shtuar e kërkuar për ta imunizuar nga ndikimi apo deformimet e procesit e shqetëson njëlloj edhe qeverinë shqiptare. Ne jemi në krahun e përsosjes së reformës në drejtësi e plotësimit të insititucioneve me personalitet të lartë" 

Kreu i ri që do të pasojë Arben Krajën në krye të Prokurorisë e Posaçme për tre vitet e ardhshme do të zgjidhet në fillim të muajit dhjetor.

Pas garës së hapur nga KLP, tre prokuror të kësaj strukture Altin Dumani, Adnand Xholi dhe Edvin Kondili kanë qënë të vetmit që kanë shprehur interes për të qënë drejtues të strukturës.

Ndërkohë, ambasadorja Yuri Kim u takua dje me Ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja për të shqyrtuar progresin në zbatimin e reformës në drejtësi dhe rëndësinë e saj për aspiratat e Shqipërisë për integrimin në BE.