Vranë 89 vjeçarin për 5 mijë lekë, Gjykata lë në burg autorët e grabitjes në Gjirokastër
Gjykata e Fierit la në burg Ervis Halimin dhe Musa Gudon, që akuzohen se rrahën për vdekje 89 vjecarin Çaush Shehaj, pasi i hynë për të grabitur shtëpinë. Dy të rinjtë dyshohet se ishin në efektin e drogës gjatë grabitjes që përfundoi në vrasje.
Këta janë Musa Gudo dhe Ervis Halimi, dy të rinjtë që dhunuan për vdekje 89 vjeçarin Caush Shehaj, në banesën e tij në Klos të Mallakastrës.
Gjyqtari Taulant Banushi, pranoi kërkesën e prokurorit Petrit Vuka dhe vendosi ti lërë në qeli me masën “burg pa afat” me tre akuza, ku më e rënda është ajo e vjedhjes me pasojë vdekjen.
Një i mitur, ndërkohë po hetohet në gjendje të lirë për moskallzim krimi.
Në orët e para të 19 nëntorit, Ervis Halimi 22 vjeç dhe Musa Gudo 28 vjeç, hynë të armatosur me automatik në banesën ku Çaush Shehaj jetonte me bashkëshorten e sëmurë.
Dyshimet janë se dy të rinjtë e kishin vjedhur edhe një herë më parë shtëpinë ku kishin vënë re një kasafortë brenda të cilës dyshonin se kishte para.
Por kur aty gjetën vetëm 5 000 lekë, dhunuan ashpër dy të moshuarit e për pasojë të plagëve 89 vjeçari ndërroi jetë një ditë më pas në spital.
Mbi bazë të dëshmisë së një të mituri të përfshirë në grabitjen që përfundoi në krim, Musa Gudo dhe Ervis Halimi kanë qenë në efektin e drogës, pasi të tre kishin përdorur hashash.
Ndaj avokatët mbrojtës kërkuan analizë gjaku për 22 dhe 28 vjeçarin, të cilëve kur u arrestuan iu gjet edhe automatiku që përdorën për grabitjen.
Prokuroria e Fierit ka ngritur tre akuza, ndaj Ervis Halimit dhe Musa Gudos ,më e rënda ajo e “vjedhjes me dhunë me pasojë vdekjen”.

