Projektligji për tituj e nderit, nuk lejohet të jepen për ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit

Qeveria shqiptare ka miratuar projektligjin për titujt e nderit dhe titujt vendorë të nderit në republikën e Shqipërisë.

Në projektligj thuhet se përfitimi i një titulli nderi ose titulli vendor nderi nuk është një e drejtë dhe nuk mund të kërkohet si e tillë, në rrugë individuale ose institucionale.

Po ashtu, dhënia e titullit të nderit ose titullit vendor të nderit nuk shoqërohet me shpërblim financiar.

Ndërkohë, titujt e nderit dhe titujt vendorë të nderit që parashikohen në këtë ligj mund t’i jepen shtetasve shqiptarë ose të huaj, të cilët janë dalluar në kryerjen e veprimtarive të fushave të ndryshme, brenda ose jashtë vendit, për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të shtetit, kombit shqiptar apo komunitetit të njësive të vetëqeverisjes vendore.

Projektligji qartëson se nuk u jepen tituj nderi apo tituj vendorë nderi personave që kanë qenë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit.

Nisma për dhënien e titullit të nderit ndërmerret nga Presidenti, kryesisht ose me propozimin e Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit, ndërsa në rang vendor, nga kryetari i bashkisë, çdo anëtar i këshillit bashkiak dhe prefekti i qarkut.

“Institucionet, që kanë të drejtën e propozimit, paraqesin propozimin për nderim pranë institucionit përgjegjës për dhënien e titullit përkatës jo më vonë se 90 (nëntëdhjetë) ditë kalendarike përpara datës së propozuar për dhënien e titullit, me përjashtim të rasteve kur, sipas rrethanave të çështjes, nuk është i mundur zbatimi i këtij afati.” – qartësohet në projektligj.

Heqja e titujve dhe titujve vendorë të nderit bëhet me vendim të formës së prerë të dhënë nga gjykatat shqiptare, kur është dhënë si dënim plotësues sipas përcaktimeve në Kodin Penal, me vendim të institucionit përgjegjës për dhënien e titullit ose titullit vendor të nderit, kur mbajtësi i tij:

është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;

ose është shpallur “person i padëshiruar”, sipas përcaktimeve të legjislacionit që rregullon regjimin e hyrjes e të qëndrimit të të huajve në Republikën e Shqipërisë.