Banorët e Picallës në protestë, firma u bllokoi rrugën me portë të hekurt (Video)
Rreth 70 familje te fshatit Picallë protestuan në mbrojtje të pronave të tyre, të cilat thonë se po ua zapton një kompani private. Për zaptimin e pyjeve dhe tokave që po bëhet nga një kompani private. Protesta e tyre u pershkallëzua duke shembur portën rrethuese. Gjithashtu ata paralajmëruan se do ti vijojnë protestat dhe nuk do të lejojnë që tu marrin pronat.
Vendosja e kësaj porte në rrugën që të çon drejt sipërfaqes pyjore në fshatin Picallë në Tiranë ka ngritur në alarm banorët.
Protesta e paralajmëruar prej tyre me denoncimin se një kompani private po u merrte pronat u shoqërua edhe me masa të shtuara të policisë.
Në tubim u shprehën se nuk kanë asnjë informacion se për çfarë është vendosur ndalimi i kalimit, por me dokumenta në duar deklarojnë se një pjesë të tokës përtej saj e kanë në pronësi.
"Kjo tokë nuk ka qenë asnjë herë e bllokuar, dhe kur ka qenë reparti ushtarak. Nuk dimë çfarë projekti është. Thotë Shijaku Grup, të vijë të kontaktojë me familjarët që janë këtu dhe së dyti si mund të vijë kompania pa asnjë projekt ndërtimi dhe ta rrethojë?"
"Nuk ka si të vendosë portën që të hyj te toka e gjyshit tim. Të vijnë të flasin me banorët."
Në protestë kërkuan heqjen e portës, çka u refuzua nga policia.
"Kush është ky njeri që na vuri kufijtë në derë të shtëpisë? Na ndaluan rrugën, na kanë lënë vetëm rrugën për në shtëpi."
Si pasojë nuk munguan as përplasjet. Kërkesa për të mbrojtur pronën e tyre i bëri bashkë të rinj e të moshuar, të cilët pas një orë proteste arritën të shembnin portën e vendosur.
Banorët thonë se do të vijojnë të protestojnë dhe nuk do të lejojnë që t'u marrin pronat.
"Pëllëmbë toke pa zot nuk ka".
