"Nesër betejë e fortë parlamentare", Berisha: Rama e Belinda duan ta falimentojnë Portin e Durrësit
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në një komunikim për mediat sot deklaroi se dita e nesërme në Kuvend do të jetë mjaft e rëndësishme duke e cilësuar atë si "betejë parlamentare" sa i takon çështjes kryesore për diskutim: Portin e Durrësit.
"Prandaj ne, të gjitha këto çështje madhore për portin, duhet t’ia bëjmë të qartë shqiptarëve.
E ka vënë çështje të parë në rend dite, ne do qëndrojmë me forcën më të madhe të fjalës. Do përpiqen të na bllokojnë.
Se ai ka urrejtje patologjike për fjalën, për parlamentin, për opozitën sigurisht.
Ndaj edhe parashikohet një betejë parlamentare shumë e fortë, shumë e fuqishme.
Duhet, zotërinj deputetë, të mbrojmë me vendosmërinë më të madhe, interesat e qytetarëve shqiptarë, interesat e publikut te porti i Durrësit. Ne do ngremë komision hetimor parlamentar. Do përfshijmë edhe portin e Vlorës dhe Sarandës.
Ky po i heq Shqipërisë, ato që i ka pasur në shekuj. Përveç kësaj, është shkelja më flagrante e MSA. Janë tre nene që kërcënojnë Shqipërinë me bllokimin e negociatave.
Ndaj dhe nesër e kemi një ditë shumë të rëndësishme në parlament. Duhet të përgatitemi me të gjitha mundësitë tona që të mbrojmë interesin publik," tha Berisha.
Ai gjithashtu akuzoi Ramën dhe ministren Balluku se duan të falimentojnë portin e Durrësit, ndërsa kostot e mungesës së Portit do ti paguajnë qytetarët.
"Me portin janë vërsulur Rama-Balluku-Vengu për ta falimentuar sa më parë.
Me një akt të padëgjuar, porti është shndërruar në një institucion kredidhënës. I jep 5 milionë euro portit të Vlorës, i jep 4 milionë euro Albcontrolit.
Duan ta falimentojnë me çdo kusht. Blihen makineri të reja, miliona e miliona euro, nuk përdoren. Porti, falë investimeve shumë serioze që janë bërë, sot ka një kapacitet përpunues prej 8 milionë ton në vit.
Gjer tani, ai ka arritur në shifrën 4.8 milionë ton. Tani çfarë ndodh? Anijet do devijohen në Igumenicë, Selanik dhe në Tivar. Të gjithë këtë devijim, nuk e paguan njeriu që shëtit me avion me dhomë gjumi luksoze…" tha Berisha.