Incineratori i Elbasanit/ Refuzohet arrestimi i dytë për Alqi Bllakon
Gjykata e Posaçme ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e një mase të re arresti ndaj ish deputetit të PS Alqi Bllako, për incineratorin e Elbasanit. SPAK ka apeluar vendimin ndërkohë që avokatët e të akuzuarve për skandalin, kanë dorëzuar prapësimet e tyre në prokurori. Ata kundërshtojnë akuzat por kërkojnë gjykim të shkurtuar çka në fund të procesit u mundëson uljen e një të tretës së dënimit.
Gjykata e Posaçme ka refuzuar kërkesën e SPAK, për caktimin e një mase të re arrest me burg ndaj ish deputetit Aldi Bllako, për dosjen e incineratorit të Elbasanit.
Mësohet se kjo ka ndodhur dy javë më parë pasi Prokuroria ka finalizuar hetimet dhe përgatiste dosjen për ta dërguar në Gjykatë.
Togat e zeza kanë refuzuar kërkesën, ndërkohë që SPAK i është drejtuar Gjykatës së Apelit me kërkesën për masën e re ndaj ish deputetit.
Ai ndodhet aktualisht në arrest për llogari të dosjes së incineratorit të Elbasanit.
Kërkesa e Prokurorisë për masën e dytë, do të shqyrtohet të enjten në orën 08:30 ndërkohë avokatët e të pandehurve për çështjen e incineratorëve, kanë kundërshtuar akuzat në prapësimet e dorëzuara për finalizimin e hetimeve.
Ata kërkojnë gjykim të shkurtuar, çka u jep mundësinë e uljes së një të tretës së dënimit, në fund të procesit.
Avokatët kanë dorëzuar pretendimet e tyre në lidhje me akuzat e ngritura nga SPAK, në aktin e mbylljes së hetimeve dhe dërgimit të dosjes në gjyq.
Avokati i Klodian Zotos, në prapësimet e tij, dorëzuar në SPAK, ka pretenduar se nuk ka kryer evazion fiskal si dhe të gjitha dokumentacionet janë bërë konform ligjit, në kushtet e një emergjence mjedisore të shpallur nga institucionet.
Në të njëjtën mënyrë kanë vepruar edhe avokatët e të pandehurve të tjerë, të cilët kanë pretenduar se nuk kanë shkelur ligjin dhe nuk kanë kryer asnjë prej veprave penale që pretendohen nga ana e SPAK.
Pas analizimit të prapsimeve të dorëzuara nga avokatët, prokurori Klodian Braho pritet të dërgojë dosjen në gjykatë.
Togat e zeza do të vendosin për nisje të gjykimit ose kthim sërish për plotësim të hetimeve nëse vlerësojnë se ka mangësi.
Të pandehur përveç ish ministrit Lefter Koka dhe ish Anëtarëve të Komisioneve të Vlerësimit të Ofertës, u morën edhe biznesmeni Mirel Mërtiri dhe ish-deputeti Alqi Bllako si dhe arkitekti Arben Dervishaj.
Ky i fundit dhe anëtarët e Komisioneve të Vlerësimit të Ofertave kanë përfituar bileta udhëtimi dhe qëndrim në hotele jashtë shtetit, me pagesa nga pronarët e kompanive që zotërojnë incineratorët.
Në hetim janë mbajtur dosjet e incineratorit të Fierit dhe Tiranës.
