Votimi elektronik në 6 bashki në pikëpyetje, Celibashi: Nuk shoh shtysë nga partitë

Zgjedhjet e 14 majit 2023 pritet të zhvillohen sërish me fletë votimi, duke përjashtuar teknologjinë.

Kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve Ilirian Celibashi, shprehet pesimist për realizimin e projektit që do të nxirrte menjëherë rezultatin në gjashtë bashki, e shkak për këtë janë të gjitha forcat politike.

KQZ kërkon 37 mln euro për të realizuar procesin e votimit elektronik por deri tani ende nuk është lëvruar ky fond nga qeveria.

Kreu i këtij institucioni Ilirjan Celibashi thotë se afati maksimal për lëvrimin e këtij fondi është mesi i dhjetorit. Nëse kjo nuk ndodh atëherë procesi do të bëhet i pamundur.

Ilirjan Celibashi:“Do të donim të dinim a është e mundur financimi i zhvillimit të votimit elektronik në këto 6 bashki maksimumi  në mesin e muajit që vjen. Përndryshe edhe nëse këto para do të jenë të mundura për tia dhënë KQZ procesi i realizimit përfshirë dhe prokurimit të pajisjve kërkon kohë dhe për atë çfarë ngelet nuk është e mjaftueshme”

A ka angazhim të Partive politike për ta dakordësuar?

Ilirjan Celibashi:“Nuk është se kam konstatuar një shtysë nga të gjitha krahët lidhur me këtë çështje. Ka deklarime sporadike publike të përfaqësuesve të tyre, por nga ajo që kam konstatuar nuk duket që ka shtysë të fortë edhe pse ka një lloj interesi”

Celibashi beson se zgjedhjet vendore do të mbahen me këtë kuadër zgjedhor dhe nuk do të ketë ndryshime në Kodin Zgjedhor.

Ilirjan Celibashi: “Përndryshe nëse këto ndryshime janë të thella natyrshëm që nuk do të impaktojnë pozitivisht në administrimin e procesit zgjedhor, por duket që nuk do të ndryshojë asgjë”

Në tryezën e konsultimit mbi financimet e partive politike, organizuar sot paradite nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në bashkëpunim me Institutin Demokratik Amerikan (NDI) ai ka kërkuar më shumë saktësime sa i përket partive.

Ilirjan Celibashi:“Ka nevojë për përmirësime, më saktë për plotësime dhe qartësime të mëtejshme, si të Kodit Zgjedhor ashtu dhe të ligjit për partitë politike, përsa i përket aspektit rregullator të financimit të politikës” 

Megjithatë sa i përket financimeve ruse ai e vuri theksin te përcaktimet e Kodit

Ilirjan Celibashi: “Ka parashikime në Kodin Penal dhe në Kodin Zgjedhor. Por më së shumti në Kodin Penal, në lidhje me këtë çështje dhe janë çështje të cilat janë duke u adresuar nga organi i prokurorisë” 

Me shumë kujdes Celibashi kërkoi nga kryetarët aktual të bashkive që do të rikandidojnë. Sipas tij investimet publike nuk duhen përdorur për fushatë.