Incineratori i Elbasanit, të pandehurit nuk pranojnë akuzat, por kërkojnë gjykim të shkurtuar

Avokatët e të pandehurve të prokurorisë për çështjen e incineratorëve, kundërshtojnë akuzat dhe kërkojnë gjykim të shkurtuar, çka u jep mundësinë e uljes së një të tretës së dënimit.

Ata kanë dorëzuar pretendimet e tyre në lidhje me akuzat e ngritura nga SPAK, në aktin e mbylljes së hetimeve dhe dërgimit të dosjes në gjyq.

Avokati i Klodian Zotos, në prapësimet e tij dorëzuar SPAK, ka pretenduar se nuk ka kryer evazion fiscal, si dhe sipas tij të gjitha dokumentacionet janë bërë konform ligjit, në kushtet e një emergjence mjedisore.

Në të njëjtën mënyrë kanë vepruar edhe avokatët e të pandehurve të tjerë, të cilët kanë pretenduar se nuk kanë shkelur ligjin dhe nuk kanë kryer asnjë prej veprave penale, që pretendohen nga ana e SPAK.

Për inceneratorin e Elbasanit, Gjykata e Posaçme ka dhënë masë sigurie në mungesë për Mirel Mërtirin dhe po ashtu edhe për Alqi Bllakon, i cili më herët akuzohej veç për Fierin.

Mësohet se të gjithë avokatët mbrojtës do të kërkojnë gjykim të shkurtuar. Pas analizimit të prapsimeve të dorëzuara nga avokatët, Prokurori Klodian Braho pritet të dërgojë dosjen në Gjykatë.

Togat e zeza do të vendosin për nisje të gjykimit ose kthim sërish për plotësim të hetimeve, nëse vlerësojnë se ka mangësi.