Financime ruse? Celibashi: Vepër penale, të hetohet. Ka parti që ekzistojnë vetëm në regjistra
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi nënvizon nevojën për ndryshimin e ligjit të partive politike duke u ndalur kryesisht tek financimi i partive por dhe tek ekzistenca e këtyre partive vetëm në regjistrat e partive politike në gjykatë por pa veprimtari politike.
Pyetje: “U tha se një pjesë e partive politike nuk i kanë të regjistruara adresat. A do të merret masë për këto parti që janë në numër por nuk funksionojnë realisht
Ilirjan Celibashi: “Një pjesë e madhe e partive politike edhe pse janë të regjistruara në regjistrin e partive politike në gjykatën e Tiranës janë inekzistente. Jo vetëm në kuptimin e veprimtarisë politike por nuk duken gjëkundi. Në vlerësimin tim ekzistojnë si subjekte që kanë zënë kolonat e regjistrit të partive politike por nuk ekzistojnë.
Kjo çështje do të duhet të adresohet edhe nga Komisioni i reformës zgjedhore në kuadër të ndryshimit që ka nevojë ligji I partive politike"
Sa i takon akuzave për financimet ruse, A mjafton Kodi Zgjedhor për ti ndaluar?
Ilirjan Celibashi: Janë çështje që do të duhet dhe janë duke u adresuar nga organi i prokurorisë përbëjnë shkelje të rënda të ligjit e klasifikohen si vepra penale dhe duhet të adresohen nga prokuroria e gjykata”
Deklarata u bë nga kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi në një prononcim për gazetarët pas tryezës së konsultimit mbi financimet e partive politike.
Kjo tryezë u organizua sot paradite nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në bashkëpunim me Institutin Demokratik Amerikan (NDI)
