Porti i Durrësit/ Meta shkon në PD, Berisha lë porositë: Nesër betejë e fortë parlamentare
Kur na ndajnë pak ditë nga primaret brenda PD-së dhe protesta e thirrur më 6 dhjetor, kryetari I PD-së priti kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta
Takimi i mbajtur në selinë PD zgjati rreth 1 orë. Meta nuk dha shumë detaje nga takimi por me batutë tha “kemi qenë gjithmonë të dhjetorit”
Gazetarja e Ora News Katerina Hysenllari raportoi se një nga temat e diskutuara në këtë takim ishte dhe protesta e 6 dhjetorit, për të cilën PL-ja ka shprehur mbështetje. Gjithashtu mendohet se është diskutuar edhe sa i takon procesit të primareve që do të mbyllet në datën 4 dhjetor.
Më pas Berisha mblodhi grupin e PD-së ku kërkoi angazhim politik në kuvend për të mbrojtur interesat e popullit sa i takon Portit të Durrësit.
Sali Berisha: "Ndaj edhe parashikohet një betejë parlamentare shumë e fortë, shumë e fuqishme. Duhet, zotërinj deputetë, të mbrojmë me vendosmërinë më të madhe, interesat e qytetarëve shqiptarë, interesat e publikut te porti i Durrësit. Ne do ngremë komision hetimor parlamentar. Do përfshijmë edhe portin e Vlorës dhe Sarandës. Ky po i heq Shqipërisë, ato që i ka pasur në shekuj. Përveç kësaj, është shkelja më flagrante e MSA. Janë tre nene që kërcënojnë Shqipërinë me bllokimin e negociatave."
Deputetët e PD-së kanë përgatitur 23 amendament për të cilën kërkohet rritja e pagës me 25%, ulja e TVSH në 6 përqind për energjinë dhe ushqimet, barazimi i TVSH-së për produktet bujqësore, heqja e akcizës së gazit, limiti i arkës, rimbursimi i të gjitha dëmeve të Covid-it për bizneset dhe propozimi për krijimin e fondit rezervë KESH për të dëmshpërblyer familjet e përmbytura
PD kërkon që të hiqet kufizim kohor dhe së paku çdo deputet të flasë 10 minuta, ashtu sikurse e parashikon rregullorja e kuvendit.