Granatë në verandën e lokalit, arrestohen dy autorët e shpërthimit në Prrenjas

Policia ka identifikuar dhe vënë në pranga dy autorët e dyshuar  të shpërthimit në verandën e lokalit në Prrenjas, ngjarje e ndodhur më 19 nëntor 2022, por që u njoftua nga policia vetëm dje.

Në pranga kanë rënë dy banorë të lagjes nr 2 të këtij qyteti të vogël.

“ Nga veprimet hetimore të deritanishme rezulton se këta 2 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë autorët e dyshuar të hedhjes së një granate dore, në verandën e lokalit të shtetasit Dh. K” informoi sot policia e Librazhdit duke sqaruar se nuk është hedhur tritol por granatë dore.

Të arrestuar janë R. K., 23 vjeç dhe A. P., 41 vjeç, të dy banues në lagjen Nr. 2, Prrenjas, Librazhd. 

Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan 2 aparate celulare.

Vijon puna, nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, për dokumentimin e plotë të motivit dhe të rrethanave të kësaj ngjarjeje.