"Propozimi i Alibeajt realist", Çollaku: Qeveritarët vizita paradë në zonat e përmbytura, sherret për interes politik
Situate ditët e fundit në vend kryesisht në Shkodër dhe Lezhë është paraqitur problematike për shkak të reshjeve.
Alibeaj kërkoi ditën e sotme shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Deputeti i PD Kreshnik Çollaku në një intervistë për Ora News me gazetarin Everest Dedaj u shpreh se kjo është një kërkesë realiste.
Kreshnik Çollaku: Propozimi që Alibeaj ka bërë është realist sepse është një situatë e jashtëzakonshme. Është dëmtuar prona, ka përmbytje masive, ka humbje jete. Nuk e di se çfarë duhet të pritet më për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Unë i dëgjoj dhe akuzat që vijnë nga kolegë tanët të opozitës, qeveria që fillon e sulmon opozitën, i shoh dhe vizitat paradat e ministrave dhe qeveritarëve dhe më duket si një skenar, si një film i cili është parë është riparë prej vitesh. Është e njëjta histori. Kjo histori duhet të ndalet. Vizitat e ministrave kur është përmbytur gjysma e vendit nën ujë janë hipokrite. Dhe sherri nëse e ka fajin njëri apo tjetri është interes politik.
“Kjo është një krizë e madhe papërgjegjshmërie e pushtetit shqiptar. Nuk është një ngjarje që ka ndodhur një herë në jetë. Nuk ka asnjë vrarje mendje për të ndërhyrë për ti dhënë zgjidhje kësaj historie. Kjo është një gjë që ndodh çdo vit. Si do e zgjidhim? Duke bërë paradë çdo vit? Do të ishte e ndershme që vizitat e qeveritarëve por dhe të tjerët ti bëjnë kur është thatë në ato zona.”
