Lezha nën ujë/ Gjoni: Projekti mbeti në sirtarët e ministrisë, qeveria tani të ngushëllojë ata që u përmbytën

Petrit Gjoni ish drejtor i Bordit të Kullimit për Veriun dhe ish deputet në një intervistë për RTV Ora foli mbi situatën në të cilët ndodhet Lezha.

Petrit Gjoni: Sot kemi qenë për inspektim në zonat problematike të Lezhës në Zadrimë dhe Torovicë. Prurjet e fuqishme  vijnë nga zonat malore dhe nga shkarkimi i portave.  Problem i madh është dhe lumin Drin për këtë zonë. Para 7, 8 vitesh është pastruar 22 km  nga lumi Drin, kanë mbetur dhe 20 km pa pastruar, që kanë krijuar formën e hinkës që nuk arrin të përcjellë ujërat. Arsye tjetër e përmbytjes është lidhja e kanaleve, sistemi i kullimit nuk është unik. Sasia prej 212 mm shi në vetëm 18 orë është e konsiderueshme dhe këtë zonë e ka gjetur të papërgatitur. Është një sinjal i fortë për qeverinë Rama që të mendojë për këtë zonë.

Gazetarja: Është e pamundur të ndërhyhet tani?

Petrit Gjoni: E vetmja ndërhyrje që mund të bëhet është aty ku lidhen  kanalet. Në lumin Drin deri në pranverë nuk mund të bëhet asnjë ndërhyrje. Qeveria duhet të marrë parasysh një fond për Lezhën pasi fondi që Lezha ka e ka të pamundur të kryejë një gjë të tillë.  Qeveria nuk ka çfarë të bëjë në këto kohë veçse të ngushëllojë ata që janë përmbytur. Në këto kushte asgjë nuk mund të bëjë as qeveria as bashkia.

Gazetarja: Nuk është hera e parë që Lesha përmbytet?

Petrit Gjoni: Problemet fillojnë nga mali i Lezhës, dëmtimi i pritave malore, shpyllëzimi. Duhet ndërhyrë nga mali në mënyrë që të shpëtohet fusha pa përmbytje. Lumi Drin gjithashtu duhet mbajtur nën kontroll. Sipërfaqja e përmbytur po rritet pasi ka dhe ujëra nëntokësor, ka rënë dhe niveli i tokës. Ne patëm përgatit projektin dhe ka mbetur në sirtarët e ministrisë, nëse nuk vihet në zbatim atëherë përmbytjet do të vijojnë.

Gazetarja: Do të përkeqësohet situata nëse vijojnë reshjet?

Petrit Gjoni: Nëse evitojnë reshjet situata do të përkeqësohet. Në këto kushte të ndërhyhet aty ku mund të ndërhyhet si dhe tu rrihet afër banorëve që të mos ketë humbje jete. Rënia e menjëhershme e shiut merr shumë mbetje dhe bllokon kanalet dhe grykën e komunikimeve të kanaleve të dyta me të para.

Gazetarja: A është e nevojshme të shpallet gjendja e emergjencës?

Petrit Gjoni: Situata shikohet me ujërat që dalin nga portat e hidrocenralit. Gjendja është kritike por kjo duhet parë nga qeveria.