Përmbytjet në vend, Meta: Dështoi sistemi satelitor 1.5 mln euro për parashikimin e motit

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta në një komunikim për mediat mbi situatën e përmbytjeve në vend deklaroi se situata ishte paralajmëruar por hidroviret nuk kanë qënë në punë për shkak të mungesës së energjisë elektrike.

Masat e qeverisë sipas tij ishin inekzistente ndërsa sistemi satelitor 1.5 mln euro dështoi.

"Dëmet llogariten në qindra miliona euro. Kjo situatë tregon se qeveria ka qenë inekzistente , ka qenë tepër minimale e pasi situata ka dalë nga kontrolli. Më e rënda është se KESH e bleu energjinë më shtrenjtë në momentin kur dihej që do të kishte reshje dhe e shet shumë më lirë në bursë në këto momente. Dështoi sistemi satelitor për të cilën u paguan 1.5 mln euro për të parashikuar me saktësi motin,” tha Meta.

“Përmbytja ishte ngjarje e paralajmëruar. Tashmë 1685 ha në bashkinë e Shkodrës të përmbytura, qindra e mijëra shtëpi të rrethuara nga uji, shumë familje të evakuuara, ndërkohë që bashkia e Shkodrës dhe autoritetet vendore nuk u paralajmëruan sipas ligjit.

Në Shkodër, hidrovoret s’kanë qenë në punë për mungesë të energjisë. Në Lezhë 1300 ha të përmbytura.

Kjo situatë kritike është dhe në fushë-Krujë, 150 Ha në Mullqinë dhe Mallkuç. Natyrisht nuk mund të ngelej jashtë përmbytjeve dhe Durrësi, me zonën e ish-Kënetës dhe qendra e betonizuar e këtij qyteti, te Veliera.

Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe kur fondi vjetor i Bordit të Kullimit për Shkodrën, Kukësin dhe Lezhën është 80 mln euro në vit. Është aq sa vjedh vetëm për një ditë inceneratori i Tiranës, që nuk ekziston," shtoi Meta.