Demokratët kërkojnë ç'rregjistrimin e Bashës si kryetar i PD-së nga regjistri i partive

Deputetët demokratë ndërmarrin një tjetër hap në gjykatë. Edit Harxhi dhe avokatja e saj Endira Bushati kërkojnë ç’rregjistrimin e Lulzim Bashës nga regjistri i partive politike të gjykatës si kryetar i PD-së.

Kërkesa u bë nga Edit Harxhi në kuadër të procesit gjyqësor të nisur në 30 qershor 2021 ku kërkonte pavlefshmërinë absolute të zgjedhjeve për kryetar të PD-së në qershor të po atij viti.

Deri tani në gjykatë nuk ka pasur asnjë seancë lidhur me këtë proces ndërkohë që sot Bushati kërkoi ndryshim të objekt padisë "nga pavlefshmëri absolute të zgjedhjeve për kryetar të partisë" në "ç’rregjistrimin e Lulzim Bashës nga regjistri i partive politike"

"Shpresojmë që gjykata të vendosë drejtësinë në një çështje shumë thelbësore për mua dhe për demokratët e tjerë" tha Edit Harxhi në një prononcim për median sot nga ambientet e jashtme të gjykatës

Kërkesa u pranua nga gjyqtari.

Lufta ne Apel

Ndërkohë lufta për PD vijon në gjykatën e Apelit në Tiranë. Ende nuk është mbajtur seanca për shqyrtimin e ankimimit të Partisë Demokratike kundër vendimit të marrë nga gjykata me 18 mars 2022, ku regjistroi ndryshimet statutore të Kuvendit të PD të 17 korrikut 2021.

Në rast se Gjykata do të pranojë ankimimin e PD-së për të bashkangjitur dy kërkesat për ndryshimet statutore atëherë zhbëhet Kuvendi i 11 dhjetorit 2021 i thirrur nga Sali Berisha.

Ndërkohë ndryshimet statutore të Kuvendit të Sali Berishës u regjistruan nga gjyqtari Agron Zhukri, i cili me 25 mars i kaloi PD-në Berishës.

Në ankimimin e përfaqësuar me autorizim nga Enkelejd Alibeaj, ky i fundit kërkon nga Apeli prishjen e vendimit të 25 marsit si dhe pushimin ose kthimin në hetim me trupë tjetër gjykuese.