Alibeaj kërkon shpalljen e gjendjes së emergjencës, Peleshi deklaron se situata është normalizuar

Situata me përmbytjet për shkak të motit të përkeqësuar ka shkaktuar përplasje mes qeverisë dhe opozitës. Edhe pse ministri i mbrojtjes Niko Peleshi tha se situata është përmirësuar, Enkelejd Alibeaj, kërkoi shpalljen e emergjencës natyrore. Edhe Ilir Meta shprehu shqetësimin për gjendjen teksa akuzon për korrupsion me shitblerjen e energjisë.

Dy ditë pas përmbytjeve në Shkodër, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi shprehet optimist për tejkalimin e situatës.

Në deklaratën për mediat ai shprehet se edhe familjet e evakuuara po rikthehen në banesat e tyre, duke shtuar se edhe situata në kaskada është nën kontroll.

"Sot situata është më e normalizuar. Aktualisht janë vetëm 26 familja me 99 anëtarë të evakuuar," tha ai.

Ndryshe nga deklaratat e qeverisë, grupit parlamentar i Partisë Demokratike o drejtuar nga Enkelejd Alibeaj mendon se kriza është e rëndë.

"Kanë iniciuar një kërkesë drejtuar kryeministrit Edi Rama me të cilën kërkohet shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore rajonale në këto tre qarqe," tha ai.

Veç mazhorancës në terren ka zbritur edhe opozita. Edmond Panariti ka akuzuar qeverinë për mijëra hektarë përmbytje, ndërsa nga selia e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, akuzon se shkak është korrupsioni.

"Përmbytja nuk erdhi as nga përmbytja as nga shiu apo Perëndia, por nga korrupsioni. 1685 ha të përmbytur në Shkodër e qindra e mijëra shtëpi të rrethuara nga uji," tha ai.

Reshjet e dendura në vend kanë shkaktuar dëme të mëdha kryesisht në veri të vendit, gjithashtu probleme të mëdha u raportuan edhe në qytetin e Durrësit.