Braktisen degët prioritare, Rektori i Universiteti të Tiranës pro bashkimit me mjeksinë
Politika e Ministrisë së Arsimit për të tërhequr maturantët në degët prioritare nuk dha rezultatin që pritej. Rektori i Univeristeti të Tiranës Artan Hoxha, sqaron se këto programe studimi vijojnë të kenë thuajse të njëjtin numër studentësh, dhe mesatarja e tyre nuk është ajo që kërkohet.
Maturantët nuk u tërhoqën nga degët prioritare, politika e menduar nga Minsitria e Arsimit nuk dha rezultatin e nevojshëm, thotë Rektori i UT, Artan Hoxha.
Për Hoxhën niveli i studentëve në universitet nuk është ai që kërkohet.
“Nuk kemi numrin e studentëve që kemi planifikuar, nuk kemi atë nivel të studentëve që ne do të donim të kishim. Për ne Fizika, Matematika, Biologjia janë shkenca të cilat i duan specialistët,” tha Artan Hoxha.
Për të mos braktisur ato që quhen degë prioritare, duhet të ketë mbështetje,jo vetëm në periudhën e universitetit, por të sigurohen edhe paga të mira në sektorin për të cilin studiojnë.
“Afrimi i tyre me tregun e punës të jetë në një kohë pak më të afërt, se tashmë është, që trajnimi i tyre, kur të jenë në punë si mësues, të jetë më i lartë financiarisht, sesa marin sot,” tha ai.
Propozimi i kryeministrit Edi Rama për bashkimin e Universitetit të Tiranës me atë të Mjekësisë, shihet me interes edhe nga rektori Hoxha, i cili mendon se një gjë e tillë do të sillte nivel më të mirë në universitete.
“Një numër kaq i madh universitetesh në Shqipëri ndoshta nuk i nevojitet vendit, por një përqëndrim i universiteteve dhe një specializim i universiteteve të tjera do bënte që strukturat e mëdha të kenë më pak kosto financiare, të jenë më mirëorganizuara,” tha ai.
Por, ndryshe nga Universiteti i Mjekësisë, Hoxha thotë se studentët që zgjedhin Universitetin e Tiranës, nuk kanë nevojë për provim të automatizuar, pasi kanë treguar se ruajnë të njëjtën mesatare notash me të cilën vijnë nga gjimnazet.
Këto deklarata, Rektori i bëri gjatë cermonisë për 65 vjetorin e Universitetit të Tiranës.