Pr/ buxheti 2023: PL dorëzon amendamentet, rritje page për pedagogët, 100 euro në muaj studentëve

Partia e Lirisë ngre zërin për pr/buxhetin e vitit 2023 e sjellë nga qeveria për miratim por që nuk parashikon asnjë paketë sociale, duke i lënë shqiptarët e varfër të përballen të vetëm me koston e jetesës që rritet përditë.

Ndaj sot depozitoi  amendamente për Projekt-Buxhetin e 2023 në sektorin e arsimit, për t’u dhënë studentëve mbështetjen që kërkojnë, për t’i trajtuar pedagogët e mësuesit me dinjitetin e merituar e për të lehtësuar sadopak barrën e kostos së librave për prindërit me fëmijë në shkolla.

Ndër të tjera në amendamente PL kërkon rritjen 50 % të pagës së pedagogëve dhe mbështetje financiare studentëve.

Amendamentet u prezantuan sot nga nënkryetarja e PL-së, Erisa Xhixho në një deklaratë nga kryesia e Kuvendit ku kërkoi dhe mbështetjen e deputetëve.  

Amendamentet 

1.Pagat e pedagogëve dhe kërkimi shkencor

Me qëllim plotësimin e kërkesave të drejta të protestës së pedagogëve, kërkojmë rritjen e pagave të tyre 30% këtë vit dhe me premisën që vitin tjetër të rritet 20%, për t’u barazuar të paktën me trajtimin financiar të kolegëve të tyre në Kosovë.

Po ashtu, me qëllim mbështetjen e kërkimit shkencor sipas kërkesave dhe të vetë Sindikatës Kombëtare të Pedagogëve propozohet që në zërin për kërkimin shkencor të shtohet vlera prej 5 miliardë lekë për të arritur të paktën 0.3% PPB.

Pasi në këtë projekt buxhet mbështetja me 0.05% PPB për kërkimin shkencor është tejet qesharake dhe tallëse për dimensionin që duhet të arrijnë universitetet tona në kuadër plotësimit të standardeve ndërkombëtare.

2.            Mbështetje financiare për studentët

Studentët janë injoruar, duke u lënë jashtë paketës së rezistencës sociale në 2 aktet normative që ka kaluar kjo qeveri në kuvend.

Kërkesat e tyre të vazhdueshme kanë rënë në vesh të shurdhër, edhe peticioni i tyre me 6 mijë firma drejtuar institucioneve përgjegjëse.

Ndërkohë që duhet të përballen me kostot e shtuara të jetesës, qiratë që kanë shkuar 300-400 euro, cmimet e larta, kostot e transportit, veshjet etj.

 Ndaj, me qëllim që t’u vihet në ndihmë në kushtet e krizës së çmimeve për një periudhë nga janari –qershor 2023, propozojmë 100 euro mbështetje mujore për studentët. Te mbështeten të paktën sa bashkëmoshatarët e tyre në Kosovë, shtet që edhe pse me buxhet më të vogël i mbeshtet studentet.

3.            Rritja e pagave të mësuesve

Si Parti e Lirisë e shohim të domosdoshme rritjen e buxhetit të arsimit parauniversitar, me synim kthimin e arsimit në prioritet kombëtar dhe investimin në kapitalin njerëzor, që përbën edhe shtyllën e shoqërisë shqiptare.

Rritja prej vetëm 6% në korrik 2023 e pagës së mësuesve të arsimit parauniversitar është e pamjaftueshme së pari për të indeksuar rritjen e çmimeve që do të sjellë rritjen e kostos së jetesës, dhe së dyti rritjen reale për të përmirësuar mirëqenien e tyre.

 

Në raportin e fundit të Komisionit Europian, mësuesit shqiptarë rezultojnë më të keqpaguarit në Europë dhe rajon, me vetëm 4 233 € në vit.

Në Mal të Zi, një mësues paguhet 9 983 euro, në Maqedoninë e Veriut 7 291 euro, në Serbi 6 646 eurodhe në Bosnje-Hercegovinë 6 120 euro në vit.

 

Ndaj, për t’u dhënë dinjitetin që u takon mësuesve tanë propozojmë që në zërin shpenzime korrente për arsimin bazë dhe arsimin e mesëm të shtohen gjithsej 1.3 miliard lekë, pra rritja e pagës të jetë 12% .

4.            Tekste mësimore falas

Mijëra familje janë gjetur në vështirësi në fillim të këtij viti shkollor për shkak të çmimeve të rritura. Premtimi i qeverisë Rama për teste falas ka rezultuar thjesht propagandë boshe.

Edhe pse jepen falas, këta libra janë të përdorur dhe jashtë funksionit për nxënësit që i marrin ne perdorim, cka bën që prindërit të detyrohen t’i blejnë në rastin më të mirë, duke shtuar koston në këto kohë të vështira për familjet.

Ndaj, me qëllimin për të mbështetur arsimin cilësor, duke ndihmuar nxënësit të kenë të gjithë libra të rinj çdo vit shkollor, propozojmë 350 milionë lekë shtesë që të ribotohen të gjitha librat nga klasa I deri në klasën IX dhe ato të jepen falas për nxënësit.