Lufta me ndërtimet pa leje/ Në 2022 Tiranë, 4 herë më pak të dënuar se në 2021
Kryeministri, Edi Rama, premtoi që çdo kush që ka shkeluar ligjin dukë ndërtuar pa leje do të përfundojë në burg. Kësaj radhe ai ka firmosur konfiskimin e 15 objekteve të ndërtuara pa ose në tejkalim të lejes, por të dhënat tregojnë se ligji zbatohet ndaj qytetarëve të thjeshtë dhe jo ndaj organizatorëve dhe financuesve. Në Tiranë këtë vit, ka katër herë më pas denoncime e dhe të dënuar për ndërtim pa leje në krahasim me një vit më parë.
Kryeministri Edi Rama njoftoi se ka firmosur konfiskimin e 15 objekteve të ndërtuara pa leje ose në tejkalim të lejeve.
Rama: Sot kam firmosur pas kalimit në të gjitha hallkat ligjore plot 15 procedura konfiskimi ndërtimesh, ku për qëllime fitimi janë tejkaluar kufijtë ligjorë të lejeve.
Me këtë rast Kryeministri sulmoi edhe Prokurorinë, e cila sipas tij nuk po i jep rëndësinë e duhur kesaj fushate kundër ndërtimeve pa leje.
Rama: Qeveria nuk e ka fuqinë ligjore të amnistojë askënd dhe po të dojë madje, konfiskimet nuk i japin askujt imunitet nga drejtësia. Për të gjitha këto letrat kanë kohë që flenë në prokuroritë e rretheve.
Shifrat kanë treguar se edhe pse objektet dhe pallatet pa leje janë të ndërtuara në çdo cep të Tiranës, vetëm 3 punonjës të policisë të komisariati numër 1 në kryeqytet u bënë kurbani i kësaj çështje.
Sipas hetimeve thuhet se këta punojës nuk kanë kryer detyrën në lidhje me referimin në Prokurori të ndërtuesit apo firmës për ndërtimin e pa ligjshëm.
Edhe pse kreu i qeverisë u shpreh se përveç punonjësve edhe ndërtuesit do të përfundojnë në burg dëri më tani asnjë prej tyre nuk është përballur me drejtësinë.
Shifrat tregojnë se ata që e pësojnë më shumë janë qytetarët e thjeshtë.
Ajo çka bie në sy me ndërtimet është se vitin e fundit ka një tolerim të tyre pasi rastet nuk denoncohen.
Gjatë vitit 2021, 164 persona janë dënuar për ndërtim të pa ligjshëm në Tiranë nga 193 raste të dërguara për gjykim.
Ndërkaq, këtë vit, nga 1 janari 2022 e deri në 21 nëntor gjykata ka dënuar vetëm 23 persona me 44 dosje raste të dërguara për gjykim.
Sipas të dhënave nga Open Data Albania gjatë vitit të kaluar 90 gra janë dënuar për dhënie të ndihmës për ndërtimin e pa ligjshëm.


